Lajme

Tahiri: Tentimi i VV-së për kapjen e mediave u kompletua me emërimin e Luljeta Aliut në KPM

05/24/2023 18:55
nga:G B

Emërimin e Luljeta Aliut, si anëtare të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, e ka cilësuar si tentim të VV-së, për kapjen e mediave të lira.

“Mësymja e Vetëvendosjes për të kapur mediat e lira dhe veçmas RTK-në si transmetues publik, pas Bordit e Redaksisë, u kompletua sot në Kuvend me emërimin e Luljeta Aliut, një militanteje politike të Lëvizjes Vetëvendosje, si anëtare të Komisionit të Pavarur për Media”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se një veprim i tillë, tregon simptomën e parë të pushtetit i cili frikësohet nga të bëmat e veta.

“Kapja e mediave është simptoma e parë dhe më domethënëse e një pushteti të korruptuar, që frikësohet nga të bëmat e tij të cilat kërkon t’i mbajë nën kontroll e jashtë vëmendjes së qytetarëve. Krejt dhe zhdrejtë, kundër fjalës së lirë, në mbrojtje të korrupsionit qeveritar”, ka thënë Tahiri.

Ndryshe edhe Qendra Evropiane për Lirinë e Medias (ECMPF), janë shprehur të zhgënjyer nga vendimi i Kuvendit të Kosovës, për zgjedhjen e Luljeta Aliu-Krasniqit si anëtare të Komisionit të Pavarur për Media (KPM).

Në reagimin e tyre thuhet se Aliu e ka përkrahur publikisht Lëvizjen Vetëvendosje dhe politikat e saj, si rrjedhojë sipas tyre ajo nuk mund të jetë e pavarur.