Ish kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri në një intervistë për “RTK Prime” tha se situata është e kompilikuar në veçanti në pjesën veriore të vendit. Prandaj tha ajo janë dy çështje kryesore që duhet zgjidhur. E para sipas saj, si prioritet është zgjidhja e tensioneve në veri në mënyrë që të mos krijohen shkaqe për ndonjë eskalim të situatës e pastaj të vazhdohet me marrëveshjen finale.
“Serbia do të provojë gjithsesi t’i shtojë tensionet në veri, po e luan lojën për ta quar drejtë protektorarit veriun. Vuçiqi urdhëroi të gjithë serbët të dalin nga institucionet e Kosovës në veri. Ky është pra prioriteti, kështu po e thonë edhe aleatët amerikan. E para të zgjidhet çështja e tensioneve pastaj të vazhdohet me marrëveshjen finale”, tha Tahiri.
Ish kryenegociatorja tha se një marrëveshje pa njohje reciproke nuk është marrëveshje e mirë e këtë siç tha ajo, Kosova duhet ta kundërshtojë e ta refuzojë.
Tahiri, është shprehur e bindur se nuk do të ketë takim trepalësh.
“Jo pse unë e parashikoj, por ashtu u pa nga qëndrimet amerikane. Ata si kurrë më parë janë të qartë, po kërkojnë nga Qeveria të koordinohet, së pari marrëveshjen për targa ta qojnë tutje në koordinim me SHBA e pastaj për fat të keq dhe pa nevojë doli edhe një kërkesë e që është asociacioni”, tha tutje, Tahiri.
Tutje se çka do të ndodhë sipas Tahirit varet nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga djallëzitë siç tha ajo të presidentit serb.
“Sepse ai nuk ndalet me djallëzitë e veta, prandaj Qeveria duhet të jetë tepër e fokusuar, e koordinuar e të mos ketë një vetëbesim për aftësinë negociatore, sepse ndër fushat më të ndërlikuara janë negociatat. Qeveria nuk ka përvojë, prandaj ra edhe në grackë siç po e shohim”, tha Tahiri.


