Lajme

Tahiri-Qeverisë: Çka po ndodh o burra me blerjen e vaksinave? E keni buxhetin, veproni

05/14/2021 17:29
nga:Gazeta Blic

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një konferencë për media ka kritikuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhim të situatës me pandeminë.

“Grupi Parlamentar i Aleancës kërkon që të thirret një seancë e jashtëzakonshme, me një temë të vetme të rendit të ditës, vaksinimi në masë dhe parandalimin e keqmenaxhimit të pandemisë”, tha Tahiri.

“Për ne seanca e të hënës nuk duhet të diskutojë programin e qeverisë, situata e kijuar na e inponon debatin për vaksina dhe jo për një pamflet politik partiak i cili nuk ka program qeverisës. Më shumë flitet për donacione se sa për vaksinimin në masë”, shtoi tutje ai.

Tahiri po ashtu i bëri thirrje Qeverisë Kurti dhe ministrit Vitia që të veprojnë sa më shpejt për sigurimin e vaksinave.
“Pyetja jonë për kryeministrin Kurti dhe për ministrin Vitia është se çka po ndodh o burra me blerjen e vaksinave. Buxhetin e keni në Qeveri për blerjen e vaksinave, opozitë nuk keni se jemi të gjithë së bashku. Andaj ju bëjmë thirrje që të veproni pasi që nuk menaxhoet kjo situatë me lëmoshë”, tha Tahiri.