Lajme

Tahiri: Qeveria Kurti e mbyllur në raport me dialogun

04/09/2022 09:41
nga:Astrit Gashi

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Qeveria e Kosovës është e mbyllur në raport me dialogun dhe opinionin publik.

Tutje, ai tha se janë bërë një vjet që procesi i dialogut është kategorizuar me një jotransparencë jashtëzakonisht të madhe nga kreu i Qeverisë Albin Kurti.

“Kjo është një çështje dhe një agjendë e qeverisë së Kosovës. Si parlament jemi ballafaquar me një mos transparencë jashtëzakonisht të madhe. Janë disa rezoluta të kuvendit të Kosovës të cilat e obligojnë kryeministrin e Kosovës që mbas çdo takimi të vie dhe të raportojë në kuvendin e Kosovës. Raportimet nuk kanë ndodhur por kanë ndodhur disa debate të cilat kanë qenë me kërkesë të partive parlamentare opozitare. Mirëpo në anën tjetër qeveria është jashtëzakonisht e mbyllur në raport me dialogun dhe opinionin publik dhe shumë pak kemi marrë informata nga ana e tyre se çfarë agjende ka qeveria e Kosovës, sa herë e ka shtruar çështjen e të zhdukurve dhe tema tjera të hapura me republikën e Serbisë. Dhe i tërë ky proces qe një vit është kategorizuar me një mos transparencë jashtëzakonisht të madhe”, tha Tahiri.

Tahiri shtoi se Qeveria ka dështuar sa i përket angazhimit në politikën e jashtme për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe liberalizim të vizave.

Sipas tij, Kosova po qeveriset nga një politikë e jashtme e ngrirë si prej aspektit të Presidentes Osmani ashtu edhe nga Qeveria e Kosovës.

“Realisht sa i përket angazhimit tonë si shtet në politikën e jashtme për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, në çështjen e liberalizimit të vizave qeveria lënë shumë për të dëshiruar për shkak dështimeve të mëdha në këtë proces dhe mos shfrytëzimit të kësaj situate edhe si rezultat i konfliktit në Ukrainë ne kemi ftuar një debat parlamentar të martën me kryeministrin dhe ministren e jashtme ku do të ngrisim të gjitha këto çështje që janë preokupime tona si parti opozitare. Këtu kemi një ngecje jashtëzakonisht të madhe edhe sa i përket angazhimit të mëtutjeshëm qoftë për liberalizim të vizave qoftë edhe për plotësim të kushteve në raport me integrime evropiane”.

“Për një vit e kemi pasur një politikë të jashtme të ngrirë si prej aspektit të presidentes që e përfaqëson Kosovën në politikën e jashtme ashtu edhe nga qeveria e Kosovës. Nuk hyhet për me apliku për të dështuar. Në këtë proces duhet të ketë një lobim të fuqishëm me shtetet mike të Kosovës me partner strategjik që Kosova në këshillin e Evropës që është mundësi e artë e që ky proces është dëmtuar pas një vizite të zëvendëskryeministrit të Kosovës pikërisht në këshillin e Evropës duke nxjerrë të pavërteta që nuk janë folur në takim”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se kanë ftuar debat parlamentar të martën me Kryeministrin Kurti dhe Ministren e Jashtme Gërvalla për të diskutuar rreth shumë zhvillimeve dhe skandaleve që kanë ndodhur në politikën e jashtme për gjatë një viti të Qeverisë.

“Ky proces është dëmtuar mirëpo prapë besoj se ka gjasa që Kosova të avancojë në këtë proces për faktin që Rusia është suspenduar nga këshilli i i Evropës. Kjo mos transparenca është diçka që e karakterizon këtë qeveri e sidomos ministren Gërvalla. Prandaj kanë ndodhur një mori zhvillimesh të cilat ne jemi njoftuar qoftë nga mediet qoftë nga partner tanë mirëpo jo nga qeveria e Kosovës që të jetë transparente në raport me parlamentin dhe qytetarët se cili është angazhimi i tyre. Prandaj ky debat që do të mbahen ditën e martë do të kontribuojë në hedhjen në dritë shumë zhvillimeve edhe shumë skandaleve që ka prodhuar në politikën e jashtme qeveria e Kosovës brenda një viti”, tha ai.