Lajme

Tahiri: Po flasim për një buxhet që nuk reflekton aspak asgjë që është premtuar

02/16/2026 11:45
nga:G B

Në seancën për shqyrtimin e Projektbuxhetit të Kosovës për vitin 2026, shefi i grupit parlamentar të AAK, Besnik Tahiri, ka folur në emër të partisë së tij, duke bërë një vlerësim të buxhetit nga dy perspektiva, politike dhe teknike.

Tahiri theksoi se ky buxhet është miratuar më 31 dhjetor 2025 në qeverinë në detyrë dhe se vlera e linjave buxhetore, projekteve kapitale, si dhe buxheti për mallra dhe shërbime, mbetet i njëjtë.

“Ne do bëjmë një vlerësim të buxhetit prej dy perspektivave, asaj politike dhe asaj teknike, sepse të dyjat kanë vlerën e tyre, në mënyrë që qytetarët e Kosovës, me çfarë dokumenti jemi duke e trajtuar dhe se si do të operojë Kosova këtë vit, të kuptojnë. Ky buxhet, që e kemi përgatitur, është miratuar në qeverinë në detyrë më 31 dhjetor 2025. Esenca është që ky buxhet është miratuar më herët dhe në tabelat ku përshkruhen vijat buxhetore, projektet kapitale, buxheti për mallra dhe shërbime është i njëjtë. Qytetarëve të Kosovës duhet t’u thuhet se qeveria ka numrizuar, nuk ka asnjë veprim politik ose mbi rezultatin zgjedhor për të sjellë një buxhet para nesh. Me ndryshimet që ishin parashikuar, ato reflektohen edhe në ekspozimin që e përgatiti kryeministri dhe në synimet strategjike. Pra, po flasim për një buxhet provizor për disa muaj, për një buxhet që për pak muaj do t’i nënshtrohet një rishikimi”, tha Tahiri.