Lajme

Tahiri për vrasjet në Vushtrri: Këmbana të fuqishme për ata që kanë vesh – na duhet reflektim serioz dhe ligj i fortë për armët pa leje

03/24/2025 20:55
nga:G B

Ish deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se dy vrasjet e fundit në vend janë këmbana të fuqishme për ata që kanë vesh, raporton Gazeta Blic.

“Kemi hyrë në rrugë të gabuar si shoqëri. Kemi arritur në një pikë kritike kur dhuna, vrasjet dhe tragjeditë janë bërë pjesë e jetës sonë të përditshme”, ka shkruar ai.

Tahiri ka pyetur se çka duhet të ndodhë më shumë, për të kuptuar se kemi nevojë për një reflektim serioz gjithë-kombëtar dhe një ligj të fortë për armët pa leje.

Postimi i tij i plotë:

Dy vrasjet e fundit janë këmbana të fuqishme për ata që kanë vesh. Kemi hyrë në rrugë të gabuar si shoqëri. Kemi arritur në një pikë kritike kur dhuna, vrasjet dhe tragjeditë janë bërë pjesë e jetës sonë të përditshme. Dje, një djalë 19-vjeçar u vra pas iftarit, duke u qëlluar dhe duke u kthye në shtëpi pa frymë. Dhe sot, një tjetër vrasje e tmerrshme ku një grua e pafajshme u vra.

Çfarë duhet të ndodhë më shumë për të kuptuar se kemi nevojë për një reflektim serioz gjithë-kombëtar dhe një ligj të fortë për armët pa leje? A duhet të ndodhin edhe më shumë humbje jetësh për të reaguar si shoqëri?