Lajme

Tahiri për vendimin për pagat e gjykatësve dhe prokurorëve: Anti-kushtetues

11/23/2022 18:02
nga:G B

Shefi I GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se sot Qeveria e prishi vendimin e Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave në sistem të drejtësisë dhe këtë e bëri në mënyrë antikushtetuese, raporton Gazeta Blic.

Ai thotë se me këtë vendim, Qeveria ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili mund të ndryshohet vetëm nga ajo.

Tahiri  ka shtuar se ekziston një praktikë e Komisionit të Venecias dhe një standard kushtetues që thotë se pagat e sistemit të drejtësisë mund të ulen vetëm në rast të një krize e recesioni të rëndë ekonomik e financiar, të vlerësuar gjerësisht nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm dhe në Kosovë nuk është kjo gjendje.

Postimi i tij i plotë:

Vendimi Anti-Kushtetues!

Sot, Qeveria prishi vendimin e Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave në sistem të drejtësisë. Kjo u bë në mënyrë kundërkushtetuese, sepse vendimi Qeverisë Haradinaj me një vendim të Gjykatës Kushtetuese ngeli në fuqi. Për pasojë, më nuk bëhet fjalë për vendim të Qeverisë Haradinaj, por për vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili mund të ndryshohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, apo me amandament kushtetues të përfaqësuesit të sovranit të Kosovës.

Për të qenë ironia më e madhe, ky vendim antikushtetues që shfuqizojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese bëhet në emër të kthimit të ligjshmërisë në vend! Imagjinoni, Qeveria si organ politik me një vendim administrativ shfuqizon një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe këtë e bën në emër të rivendosjes së ligjshmërisë.

Ekziston një praktikë e Komisionit të Venecias dhe një standard kushtetues që thotë se pagat e sistemit të drejtësisë mund të ulen vetëm në rast të një krize e recesioni të rëndë ekonomik e financiar, të vlerësuar gjerësisht nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm. Në Kosovë, ky nuk është rasti! Së paku jo për momentin! Këtë që e thotë Komisioni i Venecias, e gjejmë jo rrallë në dispozita kushtetuese të vendeve ish-komuniste, si një garanci kushtetuese. Përtej kësaj, Komisioni i Venecias ka thënë se ulja e pagave në mënyrë arbitrare dhe pa provuar se vendi gjendet në krizë të rëndë ekonomike dhe financiare, përbën ndërhyrje brutale në sistemin e drejtësisë.

Bëjmë thirrje te deputetët dhe te Avokati Popullit që këtë vendim arbitrar dhe hakmarrës ndaj sistemit të drejtësisë ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për kontroll kushtetues dhe rivendosjen e kushtetutshmërisë në punën e sistemit të drejtësisë.