Lajme

Tahiri pas takimit me Shoqatën e Gastronomëve: Deri në verë të ketë hapje totale të vendit

04/16/2021 18:04
nga:Y I

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka takuar pasditen e sotme përfaqësues të Shoqatës së Gastronomëve.

Nga aty u kërkua që të bëhet hapja e lokaleve, meqë mbyllja nuk është zgjidhje për menaxhimin e pandemisë.

Po ashtu, gastronomët kanë thënë se janë në pikën më kritike aktualisht, ndaj kanë kërkuar që deri verës të bëhet hapje totale.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se në këtë takim kanë dëgjuar kërkesat e gastronomëve.

Ai ka thënë se janë katër çështje të rëndësishme që qeveria duhet të ketë parasysh.

“E para, qeveria, ministri Vitia, kryeministri Kurti të punojnë me gjithë kapacitetin e mundshëm, me gjithë miqtë tonë vendor dhe ndërkombëtar në vaksinimin masiv. E dyta, është më se e rëndësishme që të ndodhë rritja e kapaciteteve spitalore, për shkak se sot ishte një ditë jo e lehtë. E treta, që respektimi i masave, manuali për respektimin e masave si tek gastronomet, si tek sektori privat të jetë i inspektuar në të gjitha format. Jemi kundër mbylljes si Grup Parlamentar, ju e dini që ne gjithmonë kemi pasur qasje që të shkojmë në këto vija, por jo në mbyllje”, ka thënë Tahiri.

Ai pas takimit, i shoqëruar edhe nga Palë Lekaj dhe Shemsedin Dreshaj, ka shtuar se menaxhimi i pandemisë nuk bëhet përmes karantinimit dhe përmes mbylljes.

Kryetari i Gastronomëve: Jemi në pikën kritike, kërkojmë të hapemi sa më shpejt