Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përgjegjësi për marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit.
Ai, në “Debat Plus”, tha se nëse miratohet draftstatuti për Asociacionin, do të jetë tradhti kombëtare.
Sipas tij, nëse Kurti e miraton atë draft, do ta ketë problem të qëndrojë në Kosovë.
Tahiri theksoi se nuk beson se do të miratohet ai version i Asociacionit.
“Marrëveshja e Ohrit dhe Brukselit nuk ka pikë nga qielli, Kurti e ka dhënë kontributin edhe aty… Kurti e ka parë që krijimi i këtij institucioni do ta ndajë Kosovën në dysh në dy entitete politike territoriale. Jam i bindur se me këtë qeveri nuk e çon përpara, është tradhti kombëtare, nuk e miraton. Vendi do të shkojë në zgjedhje… Nuk e miraton draft-statutit, me dërgu vendin në zgjedhje”, tha ai.
“Nëse e miraton, do ta ketë problem të qëndrojë në Kosovë. Atëherë do të lindë problemi i madh, do ta përjetojmë organizimin territorial të tyre, do të hyjmë në problem të madh edhe ndëretnik”, vijoi ai.