Lajme

Tahiri: Moskonstituimi i Kuvendit po e çon Kosovën drejt një krize kritike

08/28/2026 11:34
nga:L J

Deputeti i Aleances-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar shumicën parlamentare për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se kjo situatë ka ndikuar në gjendjen politike, ekonomike dhe shoqërore në vend.

“Tanimë kjo shumicë parlamentare e cila sot e sa ditë është duke bojkotuar dhe duke mos ushtruar detyrën e vet kushtetuese, me moskonstituimin e Kuvendit e ka sjellë Kosovën në një depresion të thellë shoqëror, ekonomik dhe politik.”

Tahiri tha se situata në vend po përkeqësohet dhe po arrin në një pikë kritike, duke e lidhur atë edhe me sigurinë dhe ekonominë.

“Gjendja në vend është ka agravon dhe është ka vjen në një pikë kritike që ndërlidhet edhe me aspektin e sigurisë në shoqëri, edhe me aspektin e ekonomisë që krijon vende pune dhe që e mban gjallë shtetin, dhe mbi të gjitha, një krizë politike e cila nuk ka qenë e parë asnjëherë në historinë e demokracisë të vendit tonë.”

Ai e cilësoi situatën si të qëllimshme dhe tha se, sipas tij, synimi është krijimi i një krize identitare në Kosovë.

“Kjo është e qëllimshme. Kjo qasje, kjo mënyrë dhe ky përkushtim e ka vetëm një qëllim. Dhe qëllimi është ta sjellë shtetin e Kosovës në një krizë identitare të cilën historikisht e ka luftuar.”

Tahiri kritikoi edhe qasjen politike të kësaj shumice ndaj proceseve historike të Kosovës, duke përmendur Marrëveshjen e Rambujesë, hyrjen e NATO-s dhe shpalljen e pavarësisë.

“Ky konstelacion politik ka qenë në anën e kundërt të historisë në kohën e Marrëveshjes së Rambujesë dhe në kohën kur NATO ka hyrë në Kosovë. Ky konstelacion politik ka qenë në anën e kundërt, në të kundërtën e historisë kur është shpallur pavarësia e Kosovës.”

Ai tha se nuk do të lejojnë, sipas tij, krijimin e një tregimi të rremë për identitetin e Kosovës.

“Ky konstelacion politik sot është duke u munduar ta ndërtojë një tregim, një tregim i cili është tregim i rremë, është tregim kundër çdo përpjekjeje historike të kombit shqiptar në Kosovë, të krijimit të një identiteti tjetër.”

Në fund, Tahiri theksoi rëndësinë e mbrojtjes së pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si arritjen më të madhe kombëtare.

“Këtë nuk do ta lejojmë. Këtë nuk do t’ia mundësojmë. Ne nuk kemi vend tjetër, as shtet tjetër dhe as arritje më të madhe kombëtare se pavarësinë e Kosovës.

Kjo pavarësi është arritja më e madhe e kombit shqiptar. Për këtë tanimë ka sakrifikuar gjeneratë pas gjenerate, e kemi obligim me qenë këtu në vendin e punës tonë dhe me mbrojtur arritjen tonë më të madhe kombëtare.”