Lajme

Tahiri lidhi koalicion me VV-në, vjen reagimi i ashpër nga LDK: Nuk kemi autorizuar askënd, është veprim individual – i papranueshëm!

10/20/2025 12:39
nga:Lorik J

Kandidati i LDK-së për kryetar në Vushtrri, Xhafer Tahiri lidhi koalicion sot me VV-në, megjithatë pa miratimin e partisë së tij.

Në lidhje me këtë ka reaguar LDK-ja me një komunikatë për media, ku thonë se nuk ka autorizuar asnjë koalicion lokal, shkruan GazetaBlic.

Veprimet e Tahirit, LDK-ja i sheh si individuale, teksa i cilëson si të papranueshme.

Ja njoftimi i LDK-së:

“Lidhja Demokratike e Kosovës njofton anëtarësinë e vet dhe publikun e gjërë se nuk ka autorizuar dhe nuk autorizon asnjë koalicion lokal pa ndjekur procedurat statutare të partisë.

Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër, janë veprime individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

LDK-ja pret që fillimisht të analizohet performanca e kandidatit dhe e Degës së Vushtrrisë, dhe pas këtyre hapave të marrë vendimet përkatëse.

Veprimet e tjera, sikurse ky i sotmi, janë pa ndonjë vlerë dhe në kundërshtim me praktikën demokratike të LDK-së. Si të tilla, ato do të marrin trajtim procedural sipas Statutit pas përfundimit të garës lokale. LDK-ja tani është e fokusuar në garën e saj elektorale të balotazhit dhe jo në garën e partive tjera”, shkruhet në njoftim.

/GazetaBlic