Lajme

Tahiri: Kushtetuesja i dha të drejtë çështjes së ngritur nga PDK për shkarkimin e anëtarëve të KPMSHC

12/15/2021 15:18
nga:Gazeta Blic

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ableard Tahiri ka njoftuar se Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë çështjes së ngritur për mënyrën e shkarkimit të anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

“Si deputet iniciues, jam shumë i lumtur që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë çështjes së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës lidhur me këtë shkarkim të paligjshëm, duke prishur kalkulimin e këtij pushteti që s’pyet për parime dhe ligjshmëri”, ka shkruar ai, raporton Gazeta Blic.

Postimi i plotë:

Përpjekja e pushtetit aktual për shkatërrimin e institucioneve të pavarura, në mënyrë që t’i konvertojnë ato në instrumente politike në shërbim të tyre dhe familjarëve të tyre, sot ka marrë goditjen meritore nga Gjykata Kushtetuese.

Afër gjashtë muaj më parë, ne paralajmëruam mazhorancën e Kuvendit se shkarkimi i jashtëligjshëm i pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, ishte kundër kushtetues, si dhe një përpjekje e hapur për të ndërhyrë politikisht në mënyrë brutale, në një institucion të pavarur e të bazuar shumë qartë në ligj.

Si deputet iniciues, jam shumë i lumtur që Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë çështjes së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës lidhur me këtë shkarkim të paligjshëm, duke prishur kalkulimin e këtij pushteti që s’pyet për parime dhe ligjshmëri.

E ritheksoj se, kjo është një fitore e të drejtës mbi padrejtësinë, e meritës mbi arrogancën. Fitore e demokracisë si vlerë mbi keqpërdorimin në emër të saj.

Institucioni i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, është aty për të mbrojtur nëpunësit civil dhe të drejtat e tyre. Ai, siç çdo institucion tjetër i pavarur e kushtetues, nuk mund dhe s’do të lejojmë të shndërrohet në mjet të pushtetit për shantazh ndaj nëpunësve publik në Republikën e Kosovës.

Si në këtë rast, Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë e pa lëkundur në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjit.

Këtu e gjeni VENDIMIN e Gjykatës Kushtetuese.

Partia Demokratike thërret konferencë për medie