Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka ironizuar me kryeministrin Albin Kurti, rreth kthimit të tij pas gati dy javësh në Kosovë.
“Mirë se u ktheve në Republikën e Kosovës, shpresoj që qëndrimi yt 14 ditor në bregdetin e Greqëisë dhe Francës po ta jep njëfarë shtytje për me fillu me hy në punë, dhe të përfundosh këtë muaj mjalti që s’po të përfundon”, tha Tahiri.
Tutje ai tha se kishte qenë e arsyeshme vizita e Kurtit, nëse kishte marrë pjesë në ndonjë konferencë ku përfaqësohen interesa shtetërore e kombëtare, por siç tha ai, kjo nuk ndodhi.
“14 ditë jashtë vendit s’kishin të bëjnë as me interesa shtetërore e as kombëtare. Nuk e di çfarë interesa ka Kosova nga seminaret e së majtës ku flitet për gjithçka por veç për Republikën tonë jo. Festivali i Kanës është për artistët e jo për autoritete politike që pretendojnë se e kuptojnë artin dhe kulturën”.
Tutje, Tahiri përmendi helmimet në Deçan, duke i thënë kryeministrit se është dashur të kthehet.
“Do të ishte dashur të kthehesh dhe të marrësh përgjegjësitë. Vendi ku ishte kryeministri ishte 6-7 orë larg me veturë, jo vetëm kaq, gjatë kësaj guide Kosovën e goditën vërshimet, qytetarët u prekën nga prurjet e mëdha të ujit, s’po të akuzojmë ty për këtë, por është rrezikuar jeta e qytetarëve, u dëmtuan shumë ekonomi familjare, në atë kohë ishe në Kanë dhe vazhdove guidën tënde pa kurrfarë telashe, për helmimin e bërë një postim, por për këtë rast, asnjë postim. Merkeli e ndërpreu vizitën në ShBA për të qenë pranë popullit të saj dhe u kthye, ti nuk e prishe rehatinë tënde për t’iu gjendur afër qytetarëve të tu, kjo tregon papërgjegjësi të madhe kryeministër”, tha në fund Tahiri.


