Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka folur në seancën ku kryeministri i Kosovës Albin Kurti po raporton për situatën në veri dhe kidnapimin e tre policëve serbë brenda territorit të Kosovës.
Ai ka thënë se në çështjen e kidnapimit të policëve, opozita është në krahun e qeverisë pasi që provokimi sipas tij, i kalon përmasat shtet-shtet dhe është provokim ndërkombëtar.
“Edhe pse në rrethana jo të lehta me aleatët tanë, i kemi lutur dhe kemi kërkuar veçanërisht nga SHBA-të dhe NATO që të bëjnë trysninë e nevojshme në mënyrë që të rritet presioni dhe këta policë të kthehen në vend. Me e thanë troç, rreth kësaj teme, jemi një, jemi bashkë, opozitë dhe pozitë. Ke ba shumë mirë që ke shku te familjet e tre policëve, bën edhe më mirë me fole me brigadën e Facebook’ut me i ndalë komentet dhe fyerjet e eksponentëve të partisë tënde me i ndalë fyerjet ndaj këtyre policëve.”, tha Besnik Tahiri i AAK-së.
Më tutje, ai u shpreh që Kurti e ka vendosur Kosovën në pozitë të vështirë dhe e ka rrezikuar sovranitetin e Kosovës.
“Sa i përket temës së dytë, që lidhet me sigurinë dhe situatën në të cilën gjendet Kosova edhe në rrafshin politik e ndërkombëtar, dua të theksoj se veprimi i Vuçiqit na ka vendosur jo vetëm konflikt shtet me shtet, por na ka vendosur në një kontekst ndërkombëtar. Ju keni ardhur në pushtet, me besim popullor dhe me zotim se do të shtrihet sovraniteti i Kosovës gjithandej, a e kupton se nuk ka sovranitet të një shteti pa partneritet, a e kupton? Se vendet si Gjermania e Franca janë pjesë e një organizimi më të madh në NATO për me mbrojte sovranitetin e vet, a e kupton që lufta konvencionale, komunikimi krye në veti, vendimet që prekin jo veç rrafshin e sigurisë në Kosovë por kanë impakt gjeopolitik a e kupton që e dëmton këtë vend?”, tha Tahiri.
Më tutje, Tahiri u shpreh që veprimet e pamatura të Kurtit e kanë dëmtuar Kosovën dhe e kanë kufizuar sovranitetin e Kosovës “në një objekt të një komune”.
“A të hin në kry që nuk mundesh krye në veti me ba veprime sepse këto veprime të dobësojnë ty, e so problemi te ti po e dobësojnë vendin tonë. A e kupton që veprimet e pamatura e skajshmërisht naive e kanë dëmtu sovranitetin e Kosovës dhe e kanë izolu sovranitetin në një objekt të një komune? A e kuptoni ku jemi? Këtu kemi ardhur. Dhe ky rezultat është i një injorimi i krejt njerëzve që e dojnë e sakrifikojnë për këtë vend? A e kupton se është dobësuar sovraniteti i Kosovës në një pjesë të Kosovës dhe a e kupton që për këtë temë na vyen koordinimi?”, u shpreh Tahiri.
Tahiri i tha Kurtit se sot po i duhet t’i lutë ndërkombëtarët për lirimin e policëve derisa ua ka refuzuar këshillat për shumë tema.
“Jemi ardhur në pikën vëllau me vëllaun me thanë pse ju s’po rrini me Kurtin po po jeni me tjetrin? A e din që nuk është problem Kurti por drejtimi që ke marrë po e dobëson në esencë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës? Ne e dimë rrugëtimin tënd, një po dua ta them, Kosova s’ka nevojë për martirizim, por për një lider, një kryeministër që me vendosmëri, maturi e urtësi e në partneritet me ata që na kanë ndihmu me fitu lirinë, me ba pavarësinë me ekzistu si komb, a e kupton që s’e kemi për inati, a mendon që na nuk e dijmë qysh duhet me kanë a? E dijmë që populli don qashtu, po e ke shti Kosovën në rrugë të gabuar. A po duhet me i thanë sot ambasadës amerikane, KFOR-it e BE-së folni me Vuçiqin për lirimin e policëve? Ku është sovraniteti ynë, sa zgjati? Kemi ardhë në një deregje me i lutë ata që iu kemi thënë jo për 10 tema tjera për shkak se e kemi në rrezik integritetin dhe fytyrën e këtij vendi e këtij shteti.”, tha Tahiri.


