Lajme

Tahiri: Kurti nuk e do Vjosa Osmanin për presidente, nuk janë në linjën e njëjtë

02/06/2026 22:15
nga:Mergim Rreci

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka qenë i ftuari i radhës në emisionin “Blic Interview” me Astrit Gashin, ku ka folur për zhvillimet e fundit politike dhe raportet brenda lidershipit shtetëror.

Tahiri ka shprehur bindjen se Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani nuk janë në të njëjtën linjë politike, duke vlerësuar se bashkëpunimi mes tyre nuk do të vazhdojë në të ardhmen. Sipas tij, Kurti nuk do ta mbështesë Osmanin për mandate të tjera apo role të rëndësishme shtetërore.

“Sipas mendimit tim, Kurti dhe Osmani nuk janë në linjën e njëjtë. Unë nuk besoj se do të shkohet me Vjosa Osmanin. Kurti do të shkojë tek personalitete tjera, ku ai e shtrin kontrollin e tij direkt”, deklaroi Tahiri.

Ai theksoi se në këtë situatë partitë opozitare, përfshirë PDK-në, duhet të luajnë rolin e tyre institucional dhe politik, duke ofruar alternativa serioze për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Ne duhet ta luajmë rolin tonë këtu, sepse ka burra e gra nga PDK-ja dhe partitë e tjera, po ashtu edhe jo partiakë, të cilët e përfaqësojnë interesin e Kosovës dhe do të ishin adresë e besueshme për ndërkombëtarët”, shtoi ai.

Duke komentuar qasjen e Kryeministrit Kurti ndaj politikës së jashtme, Tahiri vlerësoi se kreu i qeverisë ka kaluar në një fazë tjetër të nevojave të tij politike, duke synuar, sipas tij, kontroll të plotë mbi përfaqësimin e shtetit.

“Kurti ka kaluar në nivel tjetër të nevojave. Ai tashmë e do monopolizimin në arenën ndërkombëtare për çështjen e përfaqësimit të Kosovës. Ai dëshiron të eliminojë personalitete dhe figura që mund ta përfaqësojnë shtetin e Kosovës dhe të gjitha shtresat e qytetarëve”, u shpreh Tahiri.

/GazetaBlic/