Lajme

Tahiri kritikon Qeverinë për vonesë: Rishikimi i buxhetit s’mund të hyjë në zbatim para shtatorit

07/16/2021 19:12
nga:M K

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kritikuar Qeverinë për vonesë në rishikimin e buxhetit për vitin 2021.

Ai tha se rishikimi në këtë kohë do të bëjë që Ligji mos të hyjë në fuqi deri në muajin shtator, e kjo sipas tij është e rrezikshme pasi hynë në ciklin tjetër për miratimin e buxhetit për vitin 2022.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për rishikimin e buxhetit, Tahiri tha se ekzekutivi duhet të ketë parasysh edhe implementimin e Ligjit për Paga.

Tahiri: Ky rishikim nuk ka si të vjen në zbatim para shtatorit

“Ky rishikim nuk ka si të vjen në zbatim para shtatorit. Duke qenë se është kështu, ne po hymë në ciklin tjetër, sepse duhet ta miratojmë buxhetin për vitin 2022 me gjitha zotimet që janë në planin legjislativ të qeverisë dhe do të jetë shumë problem për t’i shti në zbatim”, thotë ai.

Ai tha se ekzekutivi në rishikimin e buxhetit duhet të ketë parasysh edhe investimet kapitale.

Tahiri: Të jenë parasysh investimet kapitale

“Të ketë parasysh investimet kapitale, shkurtimi i tyre drejtpërdrejtë është problem shumë i madh i qarkullimit edhe të parasë, por edhe të jetës më të mirë në komuna. Kërkoj nga ju edhe në këtë temë ta trajtoni”, tha ai.