Lajme

Tahiri: Ka edhe njerëz në Kuvend që kanë përfituar nga privatizimi

05/27/2021 15:28
nga:N M

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri ka thënë se kjo parti është kundër mbylljes së Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Ai tha se ndryshimi i mandatit të bordit të kësaj agjencie nuk lejohet as me ligj.

“Po marrë shkas të flasë nga fjala e kryeministrit që na e prezantojë më herët për qëllimet e tij për shkarkimin e kësaj agjencie. Në radhë të parë nuk mund që të ndryshohet mandati i bordit aktual, sepse mandati i tyre është i përcaktuar me ligj, dhe nuk mundet me e ndërru kryeministri me email”, tha ai.

Për sa i përket mbylljes së kësaj agjencie përmes anëtarëve të rinj të bordit, Tahiri tha se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pa ndryshuar ligji.

“Nëse do të kishim një iniciativë serioze për mbylljen e kësaj agjencie atëherë do të duhej që të procedohej një ligj. Për mbylljen e AKP-së, një proces i rëndësishëm dhe i komplikuar. Një bord që ju do ta emëroni nesër ose pasnesër nuk mundet me e kry një punë të tillë, sepse nuk e lejon ligji. Në momentin që del përtej këtyre kornizave ligjore ata do ta shkelin ligjin dhe bëjnë vepër penale”, ka deklaruar ai.

Më tutje Tahiri tha se ka edhe deputetë në Kuvend që kanë përfituar nga procesi i privatizimit.

“Mandati është i qartë dhe ata nuk munden me e zhbë këtë agjenci. Ne i dimë abuzimet që janë bërë në të kaluarën aty dhe se aty ka shumë punë për prokurori. Edhe në Kuvend kemi njerëz dhe familjarë të njerëzve që kanë përfituar sasi të mëdha të tokave me shuma të ulëta. Nuk po du me fol me emra. Çfarëdo që është privatizu dhe që ka dyshime duhet të hetohet”, ka thënë më tutje Tahiri.

Dardan Molliqaj e publikon foton e zëvendësministrit Durmishi me fituesin e tenderit të parë (foto)