Deputeti i zgjedhur i AAK-së, Besnik Tahiri, ka folur në Klan Kosova rreth vizitës për Lutjet e Mëngjesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aty tha se kryetari i partisë së tij, Ramush Haradinaj, kërkoi edhe njëherë anëtarësimin e Kosovës në NATO, dhe nevojën e Kosovës për Departamentin e Shtetit.
“Në State Department po ashtu ishte porosia e njëjtë, por aty ishte kryesisht kontekst politik, pra me e ndihmu Kosovën në aspektin politik, me e shty, me e ndërtu këtë marrëdhënie”, tha Tahiri në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Fatkeqësisht ju e dini që partneriteti strategjik me Kosovën me këtë qeveri është anuluar dhe ky është një problem, dhe aty argumentuam në aspektin politik që Kosova ka nevojë për Departamentin e Shtetit, për prezencën, për një ambasador të ri e kështu me radhë”.
“Në Kongres kanë qenë, shumë takime kemi pasur në Kongres, shumicën prej tyre as i kemi postu në rrjetet sociale, po janë dy që po du me i nda, jo për arsye të fuqisë, por për shkak të funksioneve”.
“I pari ishte me kryetarin e nënkomisionit për Evropë, kongresmenin Heath Self, i cili e përcjell në Kongres këtë temë dhe të njëjtën porosi e patëm edhe për kongresmenin Self, i cili po ashtu është republikan dhe ka marrëdhënie shumë të fuqishme me presidentin Trump, në mënyrë që edhe aspekti politik, pra Kongresi është Dhoma e Përfaqësuesve, dhe aty të adresohet”.


