Sporti

Tahir Batatina: Synimi ynë është mos ta mbyllim sezoni pa trofe, eksperienca e vitit të kaluar avantazh për Llapin

05/24/2022 10:38
nga:E K

Sezoni i Superligës së Kosovës ka përfunduar para pak ditësh.

Skuadrat kosovare kanë mësuar fatin e tyre në renditjen tabelare, kurse Llapi dhe Drita të cilat janë finaliste të Kupës së Kosovës, do të luajnë me 26 maj për të triumfuar në këtë garë, shkruan GazetaBlic Sport.

Skuadra e Llapit është kampione e Kupës së Kosovës së sezonit të kaluar, kurse Drita do të përpiqet që të sjell trofe në Gjilan.

Në një prononcim për GazetaBlic Sport, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka deklaruar se finalja ndaj Dritës do të jetë e vështirë, duke e cilësuar këtë finale si një nga më të mirat të futbollit të Kosovës që nga paslufta.

“Ne jemi përgaditë maksimalisht për këtë finale, pasi finalja ka rëndësi të veçantë kështuqë ne kemi marrë të gjitha masat për t’u përgaditur për ndeshjen ndaj Dritës, është një ndeshje e veçantë, çdo trajner e do finalen ne e kemi arritë atë, kjo besoj që do jetë një nga finalet më të mira të pasluftës, ne do të luajmë pa presion pasi tashmë i kemi siguruar garat evropiane“, tha fillimisht Tahir Batatina.

Batatina ka arsyetuar formën jo të mirë të Llapit në Superligë duke thënë se pasi kishin siguruar objektivat, skuadra e tij, po promovonte lojtarët e rinj duke evituar lëndimet potenciale të ekipit të parë.

“Nëse i shohim ndeshjet e fundit të Llapit, skuadra jonë ka promovuar lojtarë, pasi qëllimi ynë ishte ta ruajmë ekipin për këtë finale, ne kemi qenë të kujdesshëm, i kemi ruajtur lojtarët, kemi një harmoni ekipore të jashtëzakonshme që shihet rrallë në ekipet e Kosovës, ne nuk kemi as presione të largimeve, çdo lojtar që është pjesë e Llapit do vazhdojë të jetë lojtar i Llapit”, shtoi trajneri i Llapit.

Ai vazhdoi duke thënë se ekipi i drejtuar nga ai mund ta ketë si përparësi faktin që është fitues i vitit të kaluar të Kupës së Kosovës, pasi çasja e tyre në finale do të jetë shumë më ndryshe falë eksperiencës paraprake.

“Duke qenë se e kemi fituar edhe vitin e kaluar Kupën e Kosovës, kjo do të jetë avantazh për ne, kemi emocione më ndryshe, një çasje më të ndryshme të finales, do të luftojmë për ta mbrojtur trofeun, ne nuk duam që ta përfundojmë kampionatin pa fituar trofe, ky është synimi ynë kryesor“, përfundoi Tahir Batatina për GazetaBlic Sport.