Tahir Batatina është nderuar me mirënjohje nga Gjenerali, Naim Haziri, për kontributin e dhënë në luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe për ngritjen e vlerave sportive.
Haziri, i cili ishte i pranishëm sot në stadiumin “Zahir Pajaziti”, me këtë rast deklaroi: “Sot është një ditë e veçantë për ne. Urime festën e Pavarësisë. Kjo ditë simbolizon një sakrificë të madhe të popullit shqiptar ndër vite. Sot së bashku me kolegët e mi kemi ardhur t’i nderojmë në radhë të parë dëshmorët dhe në vazhdën e kësaj unë kam marrë vendim t’i ndajë katër mirënjohje, tri për shoqatat e dala nga lufta dhe këtë mirënjohje për ish-bashkëluftëtarin tonë, ish-kolegun tonë, tanimë kryetrajnerin e klubit të suksesshëm, Llapi, Tahir Batatina. Unë besoj që me pasë kryetrajner si Tahiri është nder për juve. E kaluara e tij i takon një vlere të veçantë që iu ka përgjigjur si i ri atdheut dhe çlirimit të vendit të tij. Përkundër angazhimeve nuk iu ka ndarë angazhimit të tij për ngritjen e UÇK-së. Faleminderit shumë për angazhimin tuaj Tahir. Kur të flitet për futbollin e Kosovës, nuk ka mundësi pa u përmendur Tahiri. Faleminderit për gjitha që je duke bërë për futbollin e Kosovës, të uroj të arrish majat e suksesit”.
Sipas njoftimit të lëshuar nga klubi i Llapit, Batatina u shpreh tejet i emocionuar me mirënjohjen e pranuar, teksa ka falënderuar Gjeneralin Haziri për këtë nderim.
“Në emër të kryesisë së klubit, falënderoj Gjeneralin Haziri dhe gjithë oficerët ushtarak dhe gjithë bashkëluftëtarët. Kjo ditë së pari i nderon dëshmorët e kombit, invalidët, veteranët dhe njerëzit që janë këtu pranë nesh që kanë bërë gjithçka që të jemi ne sot këtu. Stadiumi ynë që mban emrin e Komandantit Zahir Pajaziti, Gjenerali ishte shok i pa ndarë i Zahirit. Ndihem i lumtur dhe krenar që sot i kam krah vetës njerëzit që ishim bashkë në ditët më të vështira. Faleminderit për çdo gjë që keni bërë për mua, unë dhe KF Llapi do jemi krah i fuqishëm për Kosovën aty kur ka nevojë”, u shpreh trajneri i llapjanëve.
Kryetari i klubit të Llapit, Beqir Batatina, e falënderoi për pjesëmarrjen Gjeneralin Haziri dhe me mirënjohje e nderoi si Anëtar nderi i KF Llapi, kurse drejtori i këtij klubi, Bejtush Batatina, i dhuroi një dhuratë simbolike, portretin e Komandantit, Zahir Pajaziti.
Gjenerali Haziri nderoi me mirënjohje edhe sulmuesin, Muhamet Hyseni, i cili përfaqëson edhe Kombëtaren e Kosovës.


