Donatori dhe anëtari i bordit të klubit të Llapit, Amrush Batatina ka njoftuar për largimin e tij të mënjëhershëm nga të gjitha pozitat e tij në klub.
Amrush Batatina, vëllai i trajnerit, Tahir Batatinës këtë e ka bërë të ditur nëpërmjet një statusi në rrjetin e tij social Facebook.
Ai ka shkruar se për shkak të obligimeve të tij në biznesin që e udhëheq nuk mundet të jetë i angazhuar edhe në klub.
Menjëherë kishte dyshime që mund të kishte një largim të plotë të familjes Batatina nga klubi i Llapit.
Megjithatë, në një prononcim për GazetaBlic Sport, trajneri i kësaj skuadre, Tahir Batatina i demantoi këta zëra.
“Amrushi është larguar nga kjo detyrë për shkak të angazhimeve biznesore dhe nuk po mundet të jetë shumë afër klubit. Ne jemi duke u riorgnizuar si kryesi e klubit dhe natyrisht na duhen njerëz që mund të kenë përshkutim të plotë kohor për klubin. Tashmë e kemi parë edhe angazhimin e madh që duhet në ndeshje evropiane. Natyrisht do të vazhdojmë me punën e mirë që po e bëjmë“, tha Batatina për GazetaBlic Sport.
/GazetaBlic Sport/


