Lajme

Tabaku: Shqipëria u bë vend importues i plehrave të Europës, situatë alarmante

08/24/2024 19:04
nga:Y I

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për krizën e thelluar ekonomike dhe mjedisore që sipas saj po përjeton Shqipëria.

Në një viedo të postuar ne rrjetet sociale, Tabaku theksoi se debati i vetëm rreth zhvillimit ekonomik të vendit lidhet ngushtësisht me menaxhimin e mbetjeve. Duke e përshkruar situatën si alarmante, ajo deklaroi se “Shqipëria është kthyer në eksportuesin e mbetjeve toksike dhe importuesin e mbetjeve të Europës, ndërsa si produkt të brendshëm ka sistemin korruptiv.”

Në vijim, Tabaku kritikoi ashpër qeverinë për dështimet sipas saj në menaxhimin e mbetjeve, duke e cilësuar si “qeverinë e mbetjeve.” Ajo vuri në dukje se në pesë vitet e fundit, qeveria është përfshirë në projekte të inceneratorëve që nuk ekzistojnë, në kundërshtim me konventat dhe legjislacionin e Bashkimit Europian. Sipas saj, ky debat ka rikthyer në qendër të vëmendjes ligjin e importit dhe transportit të mbetjeve, të cilat janë të ndaluara me ligj.

Tabaku gjithashtu paralajmëroi për rrezikun e madh që paraqet korrupsioni në këtë sektor, duke theksuar se aty ku ka mbetje, funksionon shumë mirë edhe parimi i korrupsionit. Ajo theksoi nevojën urgjente për të ndryshuar sistemin dhe për të ndërtuar një model të ri zhvillimi ekonomik, që do të tërheqë investime të huaja të ligjshme dhe do të nxjerrë vendin nga llumi që sipas saj e ka mbërthyer.

Ja çfarë tha Tabaku në video:

Debati i vetëm që ka Shqipëria rreth zhvillimit ekonomik lidhet vetëm me mbetjet. Jo më kot edhe kjo qeveri quhet “qeveria e mbetjeve.” Debati i pesë viteve të fundit ka qenë incenerimi; inceneratorët që nuk ekzistojnë, në kundërshtim me konventat dhe legjislacionin e Bashkimit Europian. Ndërkohë, ditët e fundit është rikthyer në vëmendje debati mbi ligjin e importit të mbetjeve dhe transportin e mbetjeve, të cilat janë të ndaluara. Ky debat rreth mbetjeve, sigurisht që prodhon edhe diskutime mbi korrupsionin.

Aty ku ka mbetje, funksionon shumë mirë edhe parimi i korrupsionit. Kjo është arsyeja përse në Shqipëri, debati i vetëm ekonomik lidhet vetëm me mbetjet, sepse aty gëlon korrupsioni, ashtu si në çdo nivel tjetër dhe në çdo qelizë tjetër të qeverisjes. Ndërkohë që fqinjët tanë zihen dhe luftojnë për investime të huaja, nga industria automotive deri tek ajo e prodhimit të ushqimeve, Shqipëria ka vetëm një burim të investimeve të huaja: paratë e pista. Dhe jo më kot, përsëri debati kthehet tek mbetjet.

Kjo është arsyeja që ne duhet ta ndryshojmë këtë sistem. Ne duhet të dalim nga diskutimi i korrupsionit dhe të ndryshojmë modelin e zhvillimit ekonomik, për të tërhequr investime të huaja që shkojnë përtej këtij llumi dhe përtej këtij diskutimi që lidhet vetëm me mbetjet. Shqipëria ka nevojë që sot të hapet për investime të huaja në të gjitha fushat.