Sporti

Sylvinho optimist para Polonisë : Gjithçka vendoset në nëntëdhjetë minuta

12/27/2025 18:13
nga:Mergim Rreci

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka folur me ton optimist për ndeshjet e “play-off”-it të Botërorit 2026, ku kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Poloninë.

Në një intervistë për podcastin “ESPN Brasil”, tekniku brazilian e ka cilësuar këtë fazë si një moment shumë të rëndësishëm për ekipin dhe për gjithë vendin.

Sipas Sylvinho, Shqipëria ka kaluar shpesh shorte të vështira, por këto janë pjesë e rrugës drejt objektivave të mëdha. Ai ka bërë të ditur se nga muaji janar stafi teknik do t’i monitorojë nga afër lojtarët, duke qenë prezent në disa ndeshje për t’i ndjekur nga afër paraqitjet e tyre.

Duke folur për Poloninë, Sylvinho ka theksuar se bëhet fjalë për një kundërshtar të njohur, me lojtarë cilësorë, edhe pse ka ndërruar trajner. Sipas tij, Polonia është në fazë rindërtimi, ndërsa Shqipëria në një periudhë zhvillimi, çka e bën përballjen të hapur dhe pa avantazhe të qarta.

“Gjithçka mund të ndryshojë në nëntëdhjetë minuta. Kemi lojtarë të mësuar me sfida të vështira dhe do të mbështetemi te cilësia jonë dhe puna që kemi bërë”, ka theksuar trajneri brazilian.

Shqipëria do ta luajë ndeshjen ndaj Polonisë më 26 mars në Varshavë. Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të përballen me fituesin e çiftit Ukrainë–Suedi, për të synuar një biletë në Kampionatin Botëror 2026.