Sporti

Sylvinho i sigurt: Jemi gati për Botëror, lojtarët janë mësuar me sfida të vështira

12/27/2025 10:52
nga:Sh R

Përzgjedhësi i Shqipërisë Sylvinho beson se “Kuq e Zinjtë” mund të sigurojnë biletën për në Kampionatin Botëror 2026, sidomos pasi sipas tij lojtarët janë mësuar me ndeshjet e vështira.

Në një intervistë ekskluzive për podcastin e “ESPN Brasil”, tekniku brazilian komentoi planet e ekipit dhe për mundësinë historike kanë për të siguruar pjesëmarrjen në Kupën e Botës së ardhshme.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për ekipin dhe për gjithë vendin. Që nga Kampionati Evropian kemi pasur shorte të forta, por sfidat janë pjesë e rrugës që duhet të ndjekim për të arritur objektivat tona”.

“Që nga janari do t’i monitorojmë lojtarët tanë më nga afër dhe do të jemi të pranishëm në disa ndeshje për të ndjekur performancat e tyre”.

Shqipëria do të përballet me Poloninë në gjysmëfinalen e ‘play-off’-it më 26 mars në Varshavë, një hap kyç drejt ëndrrës së madhe të Kupës së Botës. Në rast fitoreje, kuqezinjtë do të luajnë finalen vendimtare më 31 mars ndaj fituesit të përballjes Ukrainë–Suedi.

Ai theksoi se ndeshje të këtij niveli vendosen nga detajet më të vogla.

“E njohim mirë Poloninë, kemi luajtur kundër tyre kohët e fundit. Ata kanë ndryshuar trajner, por lojtarët mbeten të njëjtë dhe janë të një cilësie të lartë. Ata janë në një fazë rindërtimi, ndërsa ne po kalojmë një periudhë zhvillimi. Nuk ka avantazh të qartë, gjithçka mund të ndryshojë brenda 90 minutave”.

“Lojtarët tanë janë mësuar me sfida të vështira. Do të mbështetemi te cilësitë tona dhe te puna që kemi bërë deri tani.”

Kujtojmë, përballja mes Polonisë dhe Shqipërisë zhvillohet më 26 mars 2026.