Sporti

Sylvinho: Grup i vështirë, por fokusi ynë është te play-off-i i Botërorit

02/13/2026 00:02
nga:Mergim Rreci

Kombëtarja shqiptare ka mësuar mbrëmjen e sotme kundërshtarët për edicionin e ri të UEFA Nations League.

Shorti i hedhur në Bruksel e pozicionoi Shqipërinë në Grupin C1, së bashku me Bjellorusinë, Finlandën dhe San Marinon.

Megjithatë, përzgjedhësi i Kombëtares, Sylvinho, theksoi se pavarësisht shortit, fokusi kryesor i kuqezinjve mbetet te ndeshjet e fazës play-off për Botërorin 2026.

Në një prononcim për fshf.org, trajneri brazilian u shpreh:

“Është gjithmonë një garë shumë e vështirë, shumë e bukur. Luhet në një mënyrë shumë të shpejtë, zgjat praktikisht dy-tre muaj. Këtë herë bëhet në dy muaj. Gjithçka luhet shumë shpejt, është një garë e bukur. Kemi parë këtu shumë skuadra të forta”, tha ai për FSHF.

“Dhe pastaj, për ne nuk është e lehtë të mendojmë edhe për Ligën e Kombeve, pra të arrijmë në atë moment, sepse ne e kemi mendjen prej rreth një muaji e gjysmë duke punuar për play-off-et. Është një gjë shumë e rëndësishme për të gjithë ne, si federatë dhe si vend, por sigurisht… tani presim që të vijë momenti i duhur. Një grup gjithmonë shumë i vështirë, por në këtë moment e kemi mendjen te play-off-i i marsit”, theksoi Sylvinho.

Shqipëria do të synojë të kalojë me sukses fazën play-off, përpara se të zhvendosë vëmendjen te sfidat e Ligës së Kombeve.