Lajme

Syla: Nuk do të ndërpriten aktivitetet e FSK-së për shkak të ushqimit, ka mjaftueshëm

10/14/2024 19:13
nga:G C

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla ka thënë se ka mjaftueshëm ushqim për ushtarët dhe se nuk do të vije deri të situata ku FSK-ja do të ndërpresë aktivitet për mungesë ushqimi, pas letër së dërguar nga komandanti i FSK-së, Bekim Jashari.

Syla ka thënë se të premten është hapur konkursi për staf përfshirë edhe kuzhinier dhe se do të ketë sistem të vetqëndrueshëm që sipas tij do të ofrojë ushqim edhe më të mirë e me standarde të NATO-s.

“Ka qenë një komunikim i brendshëm i komandanti me ministrin… Nuk ka ardhur deri te ajo shkallë. Kujdesi i komandanti dhe ministrit është i shtuar dhe vigjilent për të mosardhur deri tek ajo. dhe nuk do të vije”, tha Syla në emisionin “Ditari” në Tëvë 1.

Syla ka thënë se ushtarët janë duke u ushqyer normalisht dhe se ushqimi është cilësor dhe ka mjaftueshëm, por ai ka akuzuar opozitën se po bënë fushatë me këtë çështje.

“Ushtarët janë duke u ushqyer, ushqimi është në rregull, cilësor ka mjaft por që opozita po e bënë të madhe këtë punë është kohë fushate. Nuk mungon ushqimi që i takon ushtarit”, tha Syla.

Ai ka thënë se beson që në konkursin e hapur për staf do të ketë të interesuar pasi siç ka thënë edhe paga është e mirë.