Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, në një konferencë për media ka folur për protestën e paralajmëruar në Shkup të Maqedonisë.
Ai njoftoi se protesta do mbahet me 13 dhjetor, duke filluar nga ora 13:00.
“Ne si organizata të dala nga lufta jemi dakorduar me organizatat e dala nga lufta në Maqedoni dhe jemi dakorduar që protestën ta mbajmë me 13 dhjetor, duke filluar nga ora 13:00. Kemi marrë edhe mbështetjen e Ali Ahmetit”, tha Syla.
Syla tha se protesta do mbahet me ose pa mbeshtetjen e institucioneve Maqedonase, duke shtuar se është e padrejtë që të pamundësohet mbajtja e kësaj proteste, pasi është e drejtë universale.
“Ne e kemi shpallë protestën, kena me marrë pjesë në protestë, protesta ka me u zhvillu me ose pa mbeshtjetjen, është e padrejtë me na u pamundësu mbajtja e protestës. Po e perserisë, janë të drejta universale, nuk do duhej të politizoheshin në asnjë rrethanë”, deklaroi ai.
Syla ftoi qytetarët të bashkohen në protestë duke shtuar se ka qenë kerkesë e bashkëluftetarëve në Maqedoni.
“Ftoj qytetarët të bashkohen në protestë sepse ka qenë kerkesë edhe e bashkëluftetarëve atje, kështu që shihemi të shtunën , në ora 13:00, me datën 13, në sheshin Skenderbej në Shkup”, përfundoi Syla.
Ndërkohë, dje kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e ka cilësuar protestën si një “lëvizje të gabuar”.
“Unë nuk e mbështes këtë ide dhe as nuk pajtohem me këtë marsh. Jam i bindur se as VLEN nuk do ta mbështesë”, ka theksuar Mickoski.
Kjo është protesta e pestë me radhë për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë, pas atyre në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.


