Lajme

Syla: Neglizhenca e Kurtit dhe Osmanit ndaj dialogut konfirmon se politika e tyre s’është në sinkronizim me Uashingtonin

04/08/2021 19:15
nga:M K

Politika e Kurtit dhe Osmanit nuk është në sinkronizim me Uashingtonin.

Kështu ka thënë publicisti Valon Syla në një prononcim për GazetaBlic, teksa analizonte situatën aktuale në diplomacinë kosovare.

Sipas Sylës, neglizhenca e tyre karshi ftesave të faktorit ndërkombëtar për t’u përqendruar në dialog, tregon se politika e tyre nuk është në sinkronizim me Uashingtonin, përcjell GazetaBlic.

“Atë që po e bën qeveria e tregon më së miri se vija politike me Uashingtonin nuk është në sinkronizim. Ka gjasa që kjo qeveri të llogaris në rritje të pazarit politik që të nxjerr diçka nga diplomacia e fortë perëndimore, sikur ndoshta intereset parësore, si vaksinat, ose vizat.

Duke pasur parasysh që ndalesën për bisedime e kushtëzojnë me prioritete, që në gjuhën kosovare i bie Vaksina ose Viza, tregon për mendësinë e diplomacisë”, tha fillimisht Syla.

Tutje, ai tha se këtë variant e pati provuar edhe Qeveria Haradinaj, por që siç dihet nuk pati sukses.

“Të njëjtën e pat provuar edhe Qeveria Haradinaj dhe nuk pati sukses. Kushtëzimet për bisedimet me Serbinë deri tani nuk kanë dhënë rezultat…sepse për diplomacinë amerikane, bisedimet duhet të vazhdohen pa kushte. Dëshmi më e mirë e kësaj është rrëzimi i tri qeverive nga viti 2014, si ajo Mustafa, Haradinaj dhe Kurti 1.

Kosovarët dhe qeveria e re kosovare duhet ta kuptojnë se bisedimet janë punë dhe prioritet kosovar, jo vetëm i Uashingtonit, Brukselit apo dikujt tjetër. Tregtimi me bisedime nuk ka pasur sukses. Ka pasur vetëm dështim të qeverive dhe dorëheqje apo shkarkime të qeverive”, përfundoi Syla për GazetaBlic.

LEXO EDHE:

Ndërkombëtarët ngulin këmbë për dialogun dhe marrëveshjen gjithëpërfshirëse, Kurti me ‘prioritete’ tjera

/GazetaBlic/