Gazmend Syla, nënkryetar i OVL-UÇK, tha se aktivitetet që kjo organizatë i ka ndërmarrë kohëve të fundit, nuk kanë pasur mbështetje nga shteti.
Megjithatë, ai tha se përkrahje kanë gjetur te partitë tjera parlamentare dhe joparlamentare.
“Me Vetëvendosjen, nuk ka komunikim fare qe pesë vite. Megjithatë, kemi takuar liderët e partive tjera politike, parlamentare dhe joparlamentare. Na kanë dhënë mbështetje, fatmirësisht. Edhe në rrafshin ndërkombëtar kemi pasur shumë vizita, kemi pasur protesta në rrafshin diplomatik, si dhe vizitën e fundit në Vatikan”.
“Mendojmë se përmes këtyre aktiviteteve tona i kemi dhënë pak dritë, ose kemi tentuar që përmes zërit të qytetarëve t’i japim dritë kësaj errësire që Gjykata Speciale i ka dhënë vendit tonë”, tha Syla në Rubikon të Klan Kosova.
Ai u shpreh se brenda kapaciteteve të tyre, OVL ka bërë “aq sa kemi pasur mundësi, me zero mbështetje nga shteti ynë”.
Nënkryetari i OVL-UÇK e pranoi se këto aktivitete kanë filluar pak vonë, por tha se arsyeja ka qenë se kryetari i tyre ka qenë në Hagë.


