Lajme

Syla: Deklarata e ish-ushtarit të UÇK-së për shkatërrimin e Urës bëri presion të madh

08/09/2024 19:07
nga:N K

Drejtori i informacionit në Klan Kosova, Gazmend Syla ka treguar për deklaratën e bujshme të një ish-ushtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vite më parë, e që kishte të bëjë me ndërtimin e murit në Mitrovicë, i cili do ta ndante qytetin në dy pjesë.

Syla thotë se deklarata e ish-ushtarit bëri presion të madh ndërkombëtarisht, të cilin e citon të ketë thënë, “nëse ky mur ndërtohet, unë do ta shkatërrojë me zollë”,.

“Isha në Mitrovicë për të raportuar, dhe ka qenë një deklaratë e një ish-ushtari të UÇK-së, edhe thotë se nëse do të ndërtohet ky mur, domethënë unë e shkatërrojë me zollë. Ajo deklaratë të nesërmen ka qenë nëpër të gjitha mediat e mundshme të botës se çka mendojnë njerëzit për një mundësi që e ka përmendur KFOR-i francez për ta ndërtuar një mur që do ta ndante qytetin në dy pjesë”, u shpreh drejtori i informacionit.

Tutje , Syla shprehet se është pikërisht Ura e Ibrit në Mitrovicë, ajo që ka shkaktuar acarimet më të mëdha.

“Unë mendoj se ajo deklaratë e atij ish-ushtari të UÇK-së e ka bërë presionin e madh, dhe iu ka treguar njerëzve se cili është opinioni i qytetarëve, për mundësinë e ndërtimit të një muri, por që Ura ka qenë pika ku acarimet kanë qenë të përhershme, kjo është më së e vërtetë”, tha ai.