Lajme

Sveçla “ultimatum” grupit të armatosur në Zveçan: Koha e fundit të dorëzohen, janë të rrethuar

09/24/2023 13:29
nga:G C

Manastiri i Banjskës që ndodhet në Zveçan, ku thotë se mbi 30 persona të uniformuar, maskuar dhe pajisur ushtarakisht, po vijojnë sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

Sipas Sveçlës, është koha e fundit që ata të dorëzohen, pasi theksoi se janë edhe të rrethuar nga Policia e Kosovës.

Të dielën, Sveçla tregoi se për shkak të sulmeve të tyre, rreshteri i Policisë Afrim Bunjaku, është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur, mirëpo, gjendja e tyre është stabile.

“Grupet kriminale të mirë organizuara dhe të dirigjuara nga Beogradi, pas bllokimit të urës me mjete të rënda dhe pamundësimit të qasjes në fshatit Bajnskë, kanë sulmuar në pritë njësitë policore, ku për pasojë rreshteri i policisë së rendit Afrim Bunjaku është vrarë, dhe dy të tjerë janë plagosur gjendja e të cilëve është stabile”, shkroi ai në FAcebook.

Sipas tij, sulmi ka ardhur dhe po vazhdon akoma nga njësi profesionale të përgatitura dhe me një përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme.

“Burimi i sulmeve me armë zjarri është manastiri në Banjska të Zveçanit dhe përreth. Njësitë tona policore janë aktivizuar në terren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupet e organizuara dhe të armatosura rëndë”, shtoi ai.

I pari i MPB-së u shpreh se një numër i tyre janë të barrikaduar brenda manastirit në Banjska edhe sipas deklarimeve zyrtare të Dioqezës Rashkë-Prizren.

“Këta terroristë janë të rrethuar nga njësitë policore dhe është koha e fundit që të dorëzohen. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Rreshterit Afrim Bunjaku dhe të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Në këto momente të vështira qëndrojmë bashkë dhe fuqishëm pranë tyre”, tha ai.