Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në njëvjetorin e rënies heroike të rreshterit policor, Afrim Bunjaku, ka thnëë se përgjegjësia për vrasjen e tij dhe organizimit të sulmit terrorist në Banjskë është drejtpërdrejtë e Serbisë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Sveçla ka thënë se drejtësia është e pashmangshme dhe Serbia duhet të dorëzojë terroristët sa më parë.
“Përgjegjësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku dhe organizimit të atij sulmi terrorist është drejtpërdrejtë e Serbisë. Drejtësia është e pashmangshme dhe Serbia duhet të dorëzojë terroristët sa më parë.
Rruga e fshatit Banjskë ku u vra Rreshter Afrimi nga sot mbanë emrin e tij. Ajo është rruga që kolegët e tij e kalojnë çdo ditë në shërbim. Mesazhi që dha Rreshter Afrimi është i qartë, terrorizmin e luftojmë me çdo kusht. Rruga që trasoi Afrimi është e përditshmja jonë bashkë me kolegët e tij, sundimi i rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës sonë”, shkroi ai, teksa bashkëngjiti fotografitë nga homazhet dhe vizita në familjen Bunjaku.