Lajme

Sveçla përgëzon policinë për aksionin ku u sekuestruan 10 kg kokainë

10/22/2024 16:05
nga:Sh R

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka përgëzuar Policinë e Kosovës për sekuestrimin e mbi 10 kilogramëve kokainë, në vlerë 450 mijë euro në magjistralen Fushë Kosovë-Prishtinë.

Sveçla ka thënë se aktivitetet policore në luftimin e krimeve, pavarësisht llojit të krimit por edhe përkatësisë nacionale do të dalin para ligjit.

“Përgëzoj Policinë e Kosovës për aksionin e suksesshëm që rezultoi me sekuestrimin e mbi 10 kilogramëve substancë narkotike kokainë në vlerë 450 mijë euro, 1445 eurove, 8970 dinarëve, dy telefonave celularë, 17 kartelave grafike për prodhimin e kriptovalutave, si dhe me arrestimin e të dyshuarit i cili rezulton të jetë i përfshirë në aktivitete te shumta kriminale.” – ka thënë Sveçla.

“Siç kam theksuar në vazhdimësi, aktivitetet policore në luftimin e krimeve pavarsisht llojit të krimit, por edhe përkatësisë nacionale do të jenë të pandalshme dhe të gjithë pa dallim do të sillen para ligjit.” – përfundoi ai.

Ndryshe, drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë e Policisë së Kosovës në një operacion të koduar “007”, ka njoftuar se ka sekuestruar 10 kilogramë substancë narkotike që dyshohet te jetë e llojit kokainë.

Substanca është gjetur të hënën në një veturë në magjistralen Fushë Kosovë-Prishtinë, e cila ishte ndaluar pasi dyshohej për trafikim me substanca narkotike.

Vlera e substancës thuhet se është 450 mijë euro.

“Gjatë operacionit policor të koduar ‘007’, Policia e Kosovës ka ndaluar një veturë të dyshuar me targa vendore, të cilën e drejtonte personi i dyshuar Z. J., shtetas kosovar, ku gjatë kontrollit të veturës së tij, në bagazh janë gjetur 10 kilogramë e 224 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me vlerë të tregut 450000 (katërqind e pesëdhjetë mijë euro)”, thuhet në njoftim e policisë.