Lajme

Sveçla: Nisin hetimet ndaj zyrtarit të MPB-së që e përdori parkingkun e qeverisë për vetura me qira

04/16/2023 13:37
nga:G B

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se ka kërkuar hetim nga Policia e Kosovës për një zyrtar përgjegjës i cili po keqpërdorte asetet shtetëore që do të duhej të siguronte mbarëvajtjen e punëve të transportit dhe parkingut të objektit të Qeverisë, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se do të iniciojë auditim të jashtëzakonshëm për shfrytëzimin e këtij parkingu. Dhe përmes një Komisioni Disiplinor do të identifikojë shkeljet që janë bërë.

Ministri ka përgëzuar gazetarët që kanë zbardhur këtë rast.

Postimi i tij i plotë:

Pas një pune të shkëlqyeshme të gazetarëve në demaskimin dhe shpërfaqjen e keqpërdorimit të aseteve shtetërore nga një zyrtar përgjegjës që do të duhej të siguronte mbarëvajtjen e punëve të transportit dhe parkingut të objektit të Qeverisë, menjëherë kam kërkuar nga Policia e Kosovës të fillojë hetimet për të gjitha shkeljet ligjore.

Po ashtu, nga dita e parë e punës do të inicoj auditim të jashtëzakonshëm për shfrytëzimin e këtij parkingu. Në të njejtën kohë edhe Komisioni Disiplinor pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, duhet të angazhohet për të identifikuar të gjitha shkeljet dhe të ndërmarrë masat e parapara me ligj.

Si Ministri e Punëve të Brendshme, por edhe si Qeveri, jemi angazhuar maksimalisht që të gjithë shërbyesit civilë të jenë në nivelin më të lartë të detyrës, por edhe ndaj të gjithë keqpërdoruesve të detyrës zyrtare kemi vepruar pa asnjë mëdyshje. Mbi 300 zyrtarë publikë janë arrestuar nga Policia e Kosovës për mënyra të ndryshme të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Përgëzoj gazetarët për punën e tyre në zbardhjen e keqpërdorimit në fjalë, si dhe ritheksoj gatishmërinë për bashkëpunim në evidentimin dhe marrjen e masave ndaj çdo keqpërdorimi që bëhet mbi kurriz të shtetit dhe qytetarëve tanë.