Lajme

Sveçla kujton viktimat e aksidentit në Kroaci, ka një apel për mërgimtarët

07/25/2022 08:57
nga:G B

Ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla, ka kujtuar viktimat e aksidentit të 25 korrikut të vitit të kaluar në Kroaci, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se humbja e mërgimtarëve tanë që po vinin në vendlindje është plagë e madhe jo vetëm e familjeve por e të gjithë neve.

Ministri ka bërë apel për mërgimtarët që kanë ardhur në Kosovë e atyre që janë nisur drejt vendlindjes që të kenë kujdes dhe të kalojnë pushime të mbara.

Postimi i tij i plotë:

Mëngjesi i 25 korrikut të vitit të kaluar ishte i rëndë për shtetin e për popullin tonë. Autobusi që po sillte mërgimtarët nga Gjermania në Kosovë u aksidentua në Slavonski Brod të Kroacisë, ku mbetën të vdekur 10 bashkëqytetar tanë e u lënduan dhjetëra të tjerë. Familjet Sylmetaj, Binakaj, Kastrati, Bellanica, Rrustemi, Kolmekshaj, Maloku, Idrizaj e Hoxha humbën më të dashurit e tyre.

Mërgata jonë ka mbajtur vendin gjallë në kohë lufte e paqe. Andaj, humbja e mërgimtarëve tanë që po vinin në vendlindje është plagë e madhe jo vetëm e familjeve por e të gjithë neve.

Në një vjetorin e humbjes së tyre shpresoj që familjarët të jenë të fortë ndonëse dhimbja është e madhe. Po ashtu, gjej rastin të falënderoj nga zemra autoritetet kroate për reagimin e shpejtë, kujdesin por edhe për bashkëndjenjën që kanë pasur me ne.

Të dashur mërgimtarë që keni arritur në vendlindje e ju që jeni nisur drejt nesh, ju lus për kujdes dhe uroj të kaloni pushime të mbara në Kosovë. Familjet tuaja, të gjithë ne dhe vendi juaj do ju pres gjithmonë krahëhapur.