Lajme

Sveçla dhe Krasniqi shkojnë në veri: Siguria, prioriteti ynë

07/31/2023 21:01
nga:G C

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se së bashku me ministrin e i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar sot Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, ku u takuan me ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal, nënkolonel Veton Elshani.

Sipas tij, besueshmëria e krijuar ndaj Policisë dhe siguria ndaj qytetarëve që po e ofrojnë zyrtarët policorë ka reflektuar në raportim dhe trajtim efikas të rasteve.

“Padyshim që Policia vazhdon të mbetet institucioni më i besueshëm dhe çdo ditë po ndikon në rritjen e përceptimit të sigurisë tek të gjitha komunitetet dhe kjo është vërtetuar së fundmi edhe nga përgjigjet e qytetarëve tanë serb në raporte ndërkombëtare kredibile, ku ka rritje për 18.61 % që nga nëntori i vitit të kaluar”, shkroi ai në Facebook.

Ai tha se në pjesën e dytë të vizitës së tij, ishin në Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe pas takimit me kryetarin Erden Atiq, kanë vizituar depot ilegale të inerteve si dhe Lagjen e Boshnjakëve.

“Lirimi i hapësirave publike që ishin uzurpuar ndër vite dhe krijimi i hapësirave të shfrytëzueshme për qytetarët po trajtohen me prioritet nga Komuna. Ndërsa, siguria, shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve në atë Komunë vazhdon të mbetet prioriteti ynë i përbashkët si nivel qëndror dhe lokal”, shtoi i pari i MPB-së.