Për sulmin fizik ndaj gazetarit, Valon Syla, ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai e ka dënuar sulmin, teksa ka thënë se sulmuesit tashmë të identifikuar do të sillen para drejtësisë.
“Sulmi ndaj kujtdo është vepër e rëndë ndërsa bëhet më i papranueshëm kur i drejtohet një gazetari, puna dhe liria e shprehjes të së cilit janë të garantuara me legjislacionin tonë dhe jo vetëm”, ka theksuar Sveçla, shkruan GazetaBlic.
Ai më tutje theksoi se “si qytetar dhe si Ministër i Punëve të Brendshme natyrisht se është i shqetësuar me sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla”.
“Si shoqëri dhe si pjesë e institucioneve angazhohemi për një shtet ku mbizotëron demokracia e ku mendimi ndryshe nuk ballafaqohet me sulm të çfarëdo lloj forme. Pas hetimeve intenzive të Policisë së Kosovës tashmë janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Syla dhe shumë shpejtë kryesit e këtij akti do të sillen para drejtësisë”, shkroi Sveçla në Facebook.
Ai theksoi se Institucionet e sigurisë do të vazhdojnë angazhimin për garantimin dhe respektimin e të drejtave të çdo qytetari tonë të cilat janë të pacënueshme dhe të padiskutueshme.


