Lajme

Suspendimi i tre zyrtarëve policor për pjesëmarrje në tubim politik, flasin njohësit e drejtësisë

01/09/2025 15:53
nga:N K

Policia e Kosovës dje ka suspenduar tre zyrtarë policorë.

Sipas njoftimit të PK-së, suspendimi i zyrtarëve policorë është bërë mbi dyshimin për pjesëmarrje në tubim apo aktivitet të natyrës politike, të cilat bien në kundërshtim me procedurat ligjore si dhe udhëzimet e brendshme të PK-së.

“Policia e Kosovës (PK), bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës i cili përcakton konfliktin e interesave, udhëzimin administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës si dhe rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës, ka suspenduar dy zyrtarë policorë, përderisa IPK-ja ka suspenduar një zyrtar policor, (të suspenduar janë një kolonel, një major dhe një rreshter policor)”, thuhet në njoftimin e tyre.

Lidhur me këtë, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, në një prononcim dhënë për GazetaBlic, tha se pjestarët policorë nuk duhet të angazhohen në aktivitete politike ose në ndonjë tubim të cilat e kontestojnë kredibilitetin institucional.

“Secili pjesëtar i Policisë së Kosovës duhet të sigurohet që të respektojë kodin e etikës dhe sjelljes profesionale jo vetëm gjatë orarit të punës por edhe pas orarit të punës.  Me theks të veçantë Policia e Kosovës në asnjë rrethanë nuk duhet të angazhohet në aktivitete politike apo pjesemarrje në tubime të cilat e kontestojnë integritetin personal të pjesëtarit të policise apo integritetin dhe kredibilitetin si institucion”, tha ai.

Sipas tij, suspendime të tilla nuk kanë të bëjnë me shkeljen e kodit të etikës.

“Vendimet lidhur me suspendimin në raste të tilla janë veprime procedurale dhe nuk paragjykojnë fajësinë apo shkeljen e kodit të etikës. Por, që është obligim i mekanizmave brenda policisë të udhëheqin procedura të pavarura, të paanshme dhe të drejta duke u siguruar të vendoset ligjshmëria por edhe të drejtat e policëve që janë subjekt i procedurave”, u shpreh Miftaraj.

E, për avokatin Xhevdet Smakiqi, një veprim i tillë nga ana e policisë duket i ngutshëm dhe i motivuar nga ana e partisë në pushtet (LVV).

“Edhe pse patën dy apo tre raste të suspendimit të zyratarëve policorë dje nga ana e Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së, në aspektin formal jurdik dukej i ngutshëm dhe i motivuar nga struktura politike të partisë në pushtet, pra LVV-së, pasi që ka pretendime se në rastin e hetuesit për rastin e rezervave shtetërore pra z.Gashit i është montuar pamja fotografike kinse në një tubim partiak në një sallon shtëpie”, tha ai në një përgjigje për GazetaBlic.

Sipas pikëpamjes së tij, nuk mund të aplikohet masa e suspendimit kur janë masat parandaluese si vërejtje verbale, paralajmërim për vërejtje me shkrim.

“Kurse, rastet tjera të suspendimit në aspektin jurdik formal konsideroj se janë gjithashtu gjueti e pushtetit ndaj zytarëve policorë, pasi që formalisht ende nuk ka filluar fushata elektorale dhe nëse ka pasur shkelje apo pjesëmarrje si rasti në Podujevë, nuk mund të aplikohet masa e suspendimit kur dihet se janë masat parandaluese si vërejtje verbale, paralajmërim për vërejtje me shkrim e tek pastaj suspendimi”, tha ai.

Për fund, Smakiqi vlerësoi se “Paanëshmëria dhe profesionalizmi i Policisë së Kosoves duhet të ruhet gjithesesi, por që edhe targetimi i emrave të hetueseve që luftuan korrupsionin e kesaj Qeverie me fotografi te montuara e degradon autoritin e IPK-së dhe Drejtorit të Policisë së Kosovës”./Gazeta Blic/