Cult

Surprizë për adhuruesit e Disney, pjesë të reja për 3 filma të preferuar

02/12/2023 07:47
nga:G C

Shefi ekzekutiv i Disney ka njoftuar se “Toy Story”, “Frozen” dhe “Zootopia” do të pasohen nga pjesë të tjera. Bob Iger është shprehur se studioja e animacionit, “Disney” është “në punë e sipër”.

Ndërkohë firma zbuloi edhe rënien e parë në shifrat e abonentëve që prej lançimit të platformës Disney+ në 2019. Iger shtoi se do të shkurtojë 7000 vende pune që tregon një lëkundje të madhe të gjigandit të argëtimit.

Me një thirrje drejt investitorëve, Iger foli edhe për planet e tij për të monetizuar disa prej rrëfenjave më të famshme.

“Jam shumë i lumtur të bëj me dije se kemi pjesë të tjera nga studiot tona të animacionit për disa prej përrallave më të njohura: ‘Toy Story’, ‘Frozen” dhe ‘Zootopia’. Do të flasim më shumë për këto produksione në vazhdim, por ky është një shembull i mrekullueshëm se si po mbështetemi tek rrëfenjat dhe markat tona të pakonkurrueshme”.

“Frozen” do të pasohet me një film të tretë ndërsa për “Zootopia” do të jetë realizimi i pjesës së dytë të saj. Deri më tani ka 4 filma “Toy Story” kurse gjatë vitit të shkuar u shfaq edhe “Lightyear”, kushtuar personazhit Buzz.

Pushimet nga puna përbëjnë rreth 3.6% të stafit të Disney në mbarë botën dhe planifikojnë të kursejnë 5.5 miliardë Dollarë dhe ta kthejnë platformën Disney+ në një gjenerator përfitimesh. Iger u shpreh se nuk “e mori lehtë këtë vendim”.

Plani i ristrukturimit të kompanisë do të ndahet në tre segmente: argëtimi, ku përfshihen filmi, televizioni dhe streaming, sport dhe parqet Disney e produktet./tvklan.al/