Lajme

Supremja shfuqizon Rregulloren e KQZ-së për organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punës

11/17/2026 15:28
nga:L J

Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësve V.E., B.A., A.B-B., V.K., dhe N.H., duke shpallur të paligjshme dhe shfuqizuar në tërësi Rregulloren e Brendshme Nr.01/2026 për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores së brendshme Nr.07/2026 për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Sipas Supremes, KQZ-ja obligohet që në emër të shpenzimeve të procedurës t’ua paguajë palëve paditëse shumën e përgjithshme prej 2 mijë e 310 euro e 20 centë, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në vendim thuhet se më 9 korrik 2026, e paditura kishte mbajtur punëtorinë sipas agjendës së miratuar për plotësimin dhe ndryshimin e Rregulloreve Nr.06/2024 dhe Nr.07/2024. Aty mori vendim për plotësimin dhe ndryshimin e dy rregulloreve, ku me shumicë votash miratoi vetëm propozimin e tretë për ndryshimin e klasave, grupeve dhe klasës së pagave për 8 pozita, dy propozimet e tjera nuk u miratuan në mungesë të numrit të mjaftueshëm të votave.

Kështu, paditësit i janë drejtuar Gjykatës me padi, duke kërkuar shfuqizimin e Rregullores Nr.01/2026, me arsyetimin se është në kundërshtim me Ligjin për Pagat e Zyrtarëve Publikë dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Paditësit kanë pretenduar se Rregullorja si e tillë cenon të drejtat dhe interesat e ligjshme të tyre, po ashtu është akt i natyrës diskriminuese.

Sipas palës paditëse, gjatë procesit të hartimit dhe miratimit të aktit të kontestuar, nga ana e të paditurit, janë shkelur parimet e transparencës, mosdiskriminimit, barazisë, gjithëperfshirës dhe konsultimit të brendshëm dhe atij publik.

Ndërkaq pala e paditur, me përgjigjie në padi dhe gjatë seancave gjyqësore, ka vlerësuar se padia mbështetet në një barazim të pasaktë. Aty thuhet se akti i kontestuar klasifikon pozita, jo persona.

Gjykata Supreme pas shqyrtimit të padisë, përgjigjes në padi, deklarimeve të saj gjatë shqyrtimit gjyqësor, provave të administruara dhe analizimit të dispozitave kushtetuese, ligjore dhe nënligjore relevante, vlerëson se kërkesëpadia e paditësve është e bazuar.

Supremja thekson se edhe pse organet administrative kanë të drejtë të nxjerrin akte nënligjore në kuadër të kompetencave të tyre, kjo e drejtë duhet të ushtrohet brenda autorizimit ligjor, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, barazisë, objektivitetit dhe sigurisë juridike.

Sipas vendimit, nga përmbajtja e rregullores së kontestuar rezulton se e paditura ka bërë ndryshime në organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punës, duke përfshirë në procesin e riklasifikimit tetë pozita të caktuara në kuadër të KQZ-së.

Ndërkaq, pozitat që ushtrohen nga paditësit- përkatësisht pozita e Zëdhënësit të KQZ-së, Udhëheqëses së Divizionit për Trajnime, Udhëheqëses së Divizionit për Edukim dhe Informim, Drejtorit për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme dhe Zyrtarit të Lartë të Trajnimit, në vendim thuhet se nuk janë përfshirë në këtë proces.

“Gjykata vlerëson se nxjerrja e rregullores së kontestuar duhet të shqyrtohet edhe në raport me kërkesat e përcaktuara në nenin 5 të Udhëzimit Administrativ nr. 03/2013 për Standardet e Hartimit të Akteve Normative, i cili kërkon që gjatë vlerësimit të nevojave për rregullim normativ të shqyrtohet, ndër të tjera, nëse problemi është përcaktuar në mënyrë të drejtë dhe nëse veprimi normativ është i justifikuar”, thuhet në vendim.

Gjykata Supreme vlerëson se nuk mund ta pranojë si të mjaftueshëm pretendimin e të paditurës se rregullorja e kontestuar ka për objekt klasifikimin e pozitave të punës dhe jo të personave që i ushtrojnë ato, si dhe se klasifikimi përcaktohet nga përmbajtja, pesha e pozitës, niveli i vendimmarrjes dhe pasojat e ushtrimit të saj, e jo nga përvoja, performanca apo kohëzgjatja e punës së personit konkret.

Në vendim thuhet se vetëm konstatimi se janë klasifikuar pozitat dhe jo personat nuk e arsyeton përjashtimin e pozitave të tjera që mund të kenë natyrë dhe përgjegjësi të krahasueshme.

“Në këtë aspekt, Gjykata vëren se rregullorja e kontestuar ka prodhuar pasoja juridike të drejtpërdrejta në pozitën e paditësve, pasi përmes zbatimit të saj është mundësuar ndryshimi i koeficienteve të pagave për zyrtarët që ushtrojnë tetë (8) pozitat e përfshira në procesin e ri klasifikimit, ndërsa pozitat e paditësve kanë mbetur jashtë këtij procesi”, thuhet në vendim.

Si rrjedhojë, sipas Supremes, paditësit nuk kanë përfituar nga ndryshimi i koeficienteve të pagave, ndonëse pretendojnë se pozitat e tyre janë të krahasueshme me ato të përfshira në rregullore për nga natyra e detyrave dhe niveli i përgjegjësive.

Shkalla e tretë thekson se përjashtimi i disa pozitave nga procesi i riklasifikimit duhet të mbështetet në kritere të qarta dhe të verifikueshme, të cilat arsyetojnë dallimin ndërmjet pozitave të përfshira dhe atyre të përjashtuara.

Në vendim thuhet se KQZ-ja nuk ka paraqitur analizë funksionale që do të arsyetonte përfshirjen e vetëm tetë pozitave në procesin e riklasifikimit dhe përjashtimin e pozitave të paditësve dhe as arsyetim konkret se cilat dallime në natyrën e detyrave, përgjegjësive ose nivelin e vendimmarrjes kanë justifikuar këtë trajtim të ndryshëm.

Supremja vlerëson se përjashtimi i pozitave të paditësve, pa u mbështetur në arsye objektive dhe të arsyeshme, ka rezultuar në trajtim të pabarabartë të tyre në raport me zyrtarët që ushtrojnë pozitat e përfshira në rregulloren e kontestuar.

“Prandaj, Gjykata Supreme përfundon se, ndonëse e paditura ka pasur kompetencë për të bërë ndryshime në organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës, ushtrimi i kësaj kompetence në rastin konkret nuk është shoqëruar me kritere të mjaftueshme objektive dhe me arsyetim që do të justifikonte trajtimin e ndryshëm të pozitave të krahasueshme”, thuhet më tej në vendim.

Për rrjedhojë, thuhet se rregullorja e kontestuar, në pjesën që ka mundësuar këtë trajtim të pabarabartë, është në kundërshtim me parimin e barazisë, objektivitetit dhe sigurisë juridike.

Sipas Supremes, është e arsyeshme dhe e domosdoshme që anulimi të shtrihet në tërësinë e aktit nënligjor normativ të kontestuar, përfshirë edhe Shtojcën 1 të tij.

Ky aktgjykim është marrë më 9 nëntor 2026, nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët Delushe Halimi-kryetare, dhe anëtarët Lumni Sallauka dhe Faton Ademi.