Gjykata Supreme përfundimisht ka konstatuar se i dënuari Liridon Uruqi, vrasjen e tani të ndjerit Fatlind Arifi e kishte kryer me dashje dhe jo nga pakujdesia.
Këtë konstatim, Gjykata Supreme ka dhënë në aktgjykimin me të cilin ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së paraqitur nga mbrojtja e Uruqit, kundër aktgjykimeve të gjykatës së shkallës së parë dhe asaj të Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Uruqi akuzohej se në korrik të vitit 2018, në fshatin Bresalc të Gjilanit, pasi kishte nxjerrë armën e tipit “TT”, të njëjtën e kishte repetuar dhe derisa ishte duke e kontrolluar nëse kishte ndonjë plumb në tytë, e kishte prek këmbëzën e cila shkrep predhën më të cilën goditet për vdekje, i ndjeri Arifi.
Për këtë akuzë, Gjykata Themelore në Gjilan, më 4 dhjetor 2019 të akuzuarin Uruqi e kishte dënuar me 18 vjet e 6 muaj burgim pasi e kishte shpallur fajtor për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.
Sipas Themelores, në këtë rast Uruqi kishte vepruar me dashje eventuale, ndërsa mbrojtja mbronte teorinë se deri tek vrasja kishte ardhur si rezultat i pakujdesisë.
Këtë aktgjykim të Gjykatës në Gjilan e kishte vërtetuar pastaj edhe Gjykata e Apelit.Mirëpo, mbrojtja pretendonte se të dy këto aktgjykime ishin marrë me shkelje të dispozitave procedurale dhe të ligjit penal. Për këtë arsye, me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë i ishte drejtuar Gjykatës Supreme.
Në këtë kërkese, avokati Blerim Halimi theksonte se nuk ishte argumentuar dashja e të dënuarit Uruqi për kryerjen e vrasjes dhe kjo sipas tij, vërtetohej edhe nga fakti se i ndjeri dhe i dënuari nuk kishin pasur asnjëherë mosmarrëveshje mes tyre.
Sipas mbrojtjes, gjykata nuk i kishte vlerësuar deklaratat e prindërve të të ndjerit dhe dëshmitarëve tjerë, se i ndjeri dhe i dënuari nuk kishin pasur asnjëherë probleme mes tyre.
Në kërkesën drejtuar Supremes, mbrojtja argumentonte se i ndjeri dhe i dënuari ishin shokë mes tyre dhe se deri të shkrepja e armës kishte ardhur si rezultat i pakujdesisë së të dënuarit gjersa i njëjti kishte qenë duke e kontrolluar armën.
“Mungesa e dashjes eventuale argumentohet me faktin se i dënuari nuk ka qenë i vetëdijshëm se nga veprimi i tij mund të vij deri te pasoja përkatësisht asnjëherë nuk është pajtuar që të shkaktohet vdekja e dikujt përfshirë edhe tani të ndjerin Fatlind, pra i dënuari asnjëherë nuk është pajtuar që të shkaktohet vdekja e të ndjerit . Gjykata e ka shkelur ligjin penal në dëm të dënuarit edhe kur nuk e ka ricilësuar veprën penale nga vrasja në vrasje nga pakujdesia edhe pse për një gjë të tillë ishin plotësuar kushtet ligjore”, thuhej në kërkesën e mbrojtjes.
Ndërsa si shkelje esenciale të procedurës penale, mbrojtja theksonte se dispozitivet e aktgjykimit të shkallës së parë ishin kundërthënës me arsyetimin e saj.
Përkundër këtyre pretendimeve të mbrojtjes, Gjykata Supreme ka vendosur se gjykata e shkallës së parë dhe ajo e Apelit, drejt kanë konstatuar se i dënuari kishte kryer vrasjen nga dashja eventuale, pasi i njëjti kishte qenë i vetëdijshëm se si rezultat i veprimit të tij, mund të shkaktohet pasoja, të cilën e ka pranuar të shkaktohet.