Prishtinë- Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale ndaj ish-inspektorit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Driton Fetahu, i dënuar për marrje ryshfeti, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të dënuarit, e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga Supremja, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Gjykata Supreme me aktgjykimin Pml.nr.23/2022 konkludon se vlerësimet e gjykatës së shkallës së parë, të miratuara edhe nga gjykata e shkallës së dytë, se i dënuari D.F., ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit, janë të drejta dhe në mënyrë të pa dyshimtë kanë vërtetuar se i dënuari ka ndërmarrë veprime inkriminuese, të cilat përbëjnë tiparet e veprës penale, për të cilat është shpallur fajtor i dënuari D., prandaj nuk qëndrojnë pretendimet ankimore se është shkelur ligji penal në dëm të dënuarit sikur pretendon mbrojtësi i të dënuarit”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Supremes.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë me aktgjykimin e 27 prillit 2021, Fetahun e kishte shpallur fajtor për veprën penale marrja e ryshfetit dhe e ka gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 10 muaj, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë e 200 euro, të cilën shumë ishte i detyruar ta paguajë në afatin prej një muaji nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, e nëse i njëjti nuk e paguan dënimin me gjobë, aktgjykimi thotë se i njëjti do të shndërrohet në dënim me burgim në kohëzgjatje prej 60 ditë, duke ia llogaritur 20 euro për një ditë burgim.
Të dënuarit, Themelorja i kishte shqiptuar edhe dënimin plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej 2 vjet, i cili dënim sipas aktgjykimit, do të ekzekutohet pas mbajtjes së dënimit me burgim.
Më pas, Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të dënuarit Driton Fetahu dhe e ka vërtetuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.
Në këtë rast, për dhënie ryshfeti akuzohej edhe Bledar Hasku, mirëpo ndaj të njëjtit prokurori Ali Uka kishte hequr dorë nga ndjekja penale.
Ndryshe, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Nikollë Komani sipas detyrës zyrtare e kishte bërë rikualifikimin e veprës penale të marrjes së ryshfetit ndaj Fetahut sipas Kodit Penal të Kosovës, që ishte në fuqi deri më 2019, me arsyetimin se veprimet inkriminuese të të akuzuarit sipas dispozitivit të aktakuzës janë kryer fillimisht në vitin 2018.
Sipas aktakuzës së përmirësuar për të dytën herë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Driton Fetahu akuzohej se më 18 dhjetor 2018, në një lokal-byfe në afërsi të ndërtesës së ATK-së në Prizren, si inspektor i ATK-së në Prizren, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, nuk ka vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare.
Aty thuhej se prej të dëmtuarit Aliriza Hasku, përmes Bledar Haskut, në mënyrë të tërthortë ka pranuar shumën prej 100 euro, e po ashtu më 14 janar 2019, në punëtorinë e zdrukthtarisë “Beha”, pronë e të dëmtuarit, i njëjti nga i dëmtuari në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar një tavolinë së bashku me katër karrige në vlerë prej 360 euro.
Sipas aktakuzës së përmirësuar herën e parë, Bledar Hasku akuzohej se në kohë të pacaktuar të muajit janar të vitit 2019, duke qenë në cilësi të kontabilistit në zdrukthtarisë “Beha”, pronë e të dëmtuarit Aliriza Hasku, në mënyrë të tërthortë dhe me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për vete ka pranuar të holla në shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Hasku, të cilat të holla ia ka dhënë të Driton Fetahut.


