Lajme

Supremja refuzon akuzën për mashtrim ndaj Rrahim Hashimit e Kadri Rexhepit

04/13/2021 13:39
nga:M K

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtja e të dënuarit Kadri Rexhepi, kundër aktgjykimeve dënuese të shkallës së parë dhe të dytë, duke marrë vendim për refuzimin e akuzës në këtë çështje penale.

Një vendim i tillë është marrë më 26 mars 2021, nga kolegji i Supremes i kryesuar nga gjyqtari Agim Maliqi, me anëtarët Valdete Daka dhe Mejreme Memaj.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 26 shkurt 2020, i kishte shpallur fajtor të akuzuarit për mashtrim, Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi. Për këtë vepër penale, Hashimi ishte dënuar me tre vjet e nëntë muaj burg, ndërsa Rexhepi me tre vjet burg efektiv.

Aktgjykimi dënues i shkallës së parë ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Përmes një komunikate për media, e cila mban datën 19 nëntor 2020, gjykata e shkallës së dytë kishte bërë të ditur se ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës dhe prokurorisë.

Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë të përbashkët për mbrojtje të ligjshmërisë kanë paraqitur mbrojtësit e të dënuarit Kadri Rexhepi, avokatët Admir Salihu dhe Gazmend Rexhepi, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal, me propozim që aktgjykimet e atakuara të ndryshohen dhe të dënuarin Rexhepi ta lirojë nga akuza ose të anulohen dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje në shkallë të parë.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, theksohet se Gjykata Supreme kishte konstatuar se në këtë çështje penale kishte arritur parashkrimi relativ i ndjekjes penale, meqenëse për veprën penale për të cilën është dënuar Kadri Rexhepi maksimumi i paraparë ligjor është pesë (5) vjet, çka sipas tyre, e bën pretendimin e mbrojtësve të bazuar.

Sipas këtij vendimi, thuhet se Gjykata Supreme pasi vlerësoi pretendimet nga kërkesa si dhe në bazë të shkresave të çështjes, gjeti se qëndron fakti se më 30 gusht 2016 Prokurori përmes autorizimit PPN.nr.528-7/16 kishte kërkuar nga njësiti hetues në Ferizaj të intervistoj disa nga dëshmitarët dhe të kryhen disa veprime hetimore.

Mirëpo, Supremja ka gjetur se autorizimi i lartcekur ka autorizuar policin hetues që të dëgjoj dëshmitarët të cilët janë dëgjuar për një vepër tjetër penale, e jo për veprën penale për të cilën janë shpallur fajtor të dënuarit Rrahim Hashimi e Kadri Rexhepi.

Pra, sipas këtij vendimi, Supremja ka gjetur se autorizimi i cekur si më lartë nuk ka mundur të ndërpresë rrjedhën e parashkrimit relativ, meqenëse ka qenë i lëshuar për të kryer veprime hetimore për një vepër tjetër penale. Për më tepër, sipas Supremes, i dënuari Kadri Rexhepi aty ishte palë e dëmtuar dhe jo i dyshuar.

Në fund të këtij vendimi, theksohet se edhe pse i dënuari Rrahim Hashimi nuk ka ushtruar kërkesë, kjo gjykatë e ndryshoi aktgjykimin edhe përkitazi me të sipas parimit “beneficium cohaesionis”, konform nenit 397 të KPPK-së.

Ndryshe, prokurorja Rukije Shashivari kishte bërë rikualifikimin e veprës penale të mashtrimit nga neni 335, paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, në veprën penale të mashtrimit nga neni 261, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 28 të Kodit të përkohshëm Penal të Kosovës, pasi është më i favorshëm për palët në procedurë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 21 mars 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për shkak të veprës penale “Mashtrimi”, në bashkëkryerje, nga neni 335 par.5 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, në periudhën kohore prej 30 dhjetor 2011, deri më 24 korrik 2012, në Prishtinë, në zyrën e të dëmtuarit Faton Dalladaku, e cila gjendet në rrugën “Perandori Justinian”, në lagjen “Pejton”, të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me të pandehurin tjetër Ekrem Lika, i cili për momentin gjendet në arrati, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin si dhe për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, e kanë vënë në lajthim të dëmtuarin Faton Dalladaku.

Gjithnjë sipas prokurorisë, ata përmes të akuzuarit Kadri Rexhepi, prezantohen rrejshëm para të dëmtuarit dhe atë i akuzuari Rrahim Hashimi, si i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, ndërsa i akuzuari Ekrem Lika si dhëndër i Kadri Veselit, ashtu që të tre së bashku kinse me qëllim të ndërmjetësimit për blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës SH.P.K në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se ky ndërmjetësim pretendohej të realizohej kinse mes personit të quajtur Ekrem Lluka si shitës dhe Faton Dalladaku si blerës, ashtu që e nxisin të njëjtin të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i prezantuar draft-kontrata sipas të cilave arrijnë ta bindin se i akuzuari Rrahim Hashimi, është pronar i Qendrës Kardiake të Kosovës, me 20 për qind të aksioneve, ndërsa Ekrem Lluka me 80 për qind, me ç’rast arrijnë të marrin nga i dëmtuari Dalladaku shumën e përgjithshme të të hollave prej 290 mijë e 810 euro, për të cilën shumë edhe i shkaktojnë dëm material.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” në bashkëkryerje, nga neni 335 par.5 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

LEXO EDHE:

Berisha ankohet në Kushtetuese, synon rikthimin e mandatit të deputetit