Gjykata Supreme ka njoftuar se e ka pranuar si të bazuar ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, duke e prishur vendimin e mëparshëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Me këtë vendim, çështja i kthehet PZAP-së për rivendosje, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
“Pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte hedhur si të palejuar ankesën e subjektit politik AAK, kjo e fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke propozuar, mes tjerash që “të shpallen të paligjshme zgjedhjet komunale dhe Komuna e Junikut të shkojë në rivotim për shkak të shkeljeve të cekura në ankesë, të cilat kanë ndikuar në rezultatin zgjedhor”.Gjykata Supreme e Kosovës, nuk e ka pranuar si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e PZAP, lidhur me hedhjen poshtë si të palejuar të ankesës të parashtruar nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, duke konsideruar se ankesa është dashtë të trajtohet në bazë të meritave dhe jo të hedhet poshtë si e palejuar.Ndaj, Kolegji i Gjykatës Supreme, përmes aktgjykimit AA.nr.92/2025 ka kërkuar nga PZAP që në rivendosje, t’i evitojë shkeljet e evidentuara ligjore dhe të vendos në mënyrë meritore lidhur me ankesën e subjektit politik AAK” thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.


