Lajme

Supremja anulon vendimin e Apelit, e kthen në rigjykim rastin ndaj të dënuarit për fajde

02/11/2024 20:06
nga:G B

Gjykata Supreme ka miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtjes së të dënuarit për fajde Artan Gjocaj, duke anuluar vendimin e shkallës së dytë dhe e ktheu rastin në rigjykim.

Vendimi i Supremes është marrë më 1 shkurt 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Pejë, më 23 mars 2023, Gjocajn e kishte shpallur fajtor për veprën penale “Fajdeja”, dhe e ka gjykuar me dënim burgimi prej 2 vite e 6 muaj burgim si dhe dënimin me gjobë prej 3 mijë euro, si dhe ishte obliguar për kompensimin e dëmit ndaj palës së dëmtuar shumën prej 24 mijë e 700 euro.

Ndërsa, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar pjesërisht vendimin e Themelores, duke e aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e mbrojtësit të të dënuarit vetëm përkitazi me konfiskimin dhe detyrimin për kompensimin e të dëmtuarit, ku vlera e mjeteve të konfiskuara prej 11 mijë e 700 euro duhej t’i kthehej të dëmtuarit Rifat Jasiqi, ndërsa për pjesën e mbetur e kërkesës pasurore-juridike prej 13 mijë e 700 euro i dënuari është obliguar që t’ia paguajë të dëmtuarit Jasiqi.

Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë të përbashkët për mbrojtjen e ligjshmërisë kishin paraqitur mbrojtësit e të dënuarit Gjocaj, avokatët Avdi Dinaj dhe Gëzim Kollçaku, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal dhe shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale, të cilat kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor.

Ata kishin kërkuar nga Gjykata Supreme që aktgjykimet e kundërshtruara t’i anulojë dhe lënda të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.

Sipas vendimit të Supremes, në kërkesë mbrojtja e të dënuarit thekson se aktgjykimet e kundërshtuara janë të përfshira në shkelje esenciale për faktin se aktgjykimet e kundërshtuara janë të pakuptueshme, kundërthënëse në brendinë e tyre dhe në arsyet e dhëna janë evidente kundërshtimet mes arsyetimit të paraqitur dhe përmbajtjes së shkresave të lëndës, procesverbaleve dhe deklarimet e dhëna nga palët gjatë procedurës penale.

Më tej, në vendim thuhet se është theksuar fakti se akgjykimet e dy instancave më të ulëta janë të përfshira në shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe atë në nenin 384, par.1, nënpar. 1.10 lidhur me par.2, nënpar. 2.5 dhe 2.7 lidhur me nenin 369 par.6 të KPP-së, pasi që gjykata e shkallës së parë si rrethana rënduese kishte marrë për bazë të kaluarën kriminale të të dënuarit, ku rezulton se në 12 raste ka qenë i dyshuar, kurse në dy raste janë ngritur aktakuza të cilat rrethana nuk mund të konsiderohen rrethana rënduese për faktin se nuk dihet epilogu i tyre.

Në vendimin e Supremes thuhet se në kërkesë, mbrojtja ka theksuar se kjo shkelje pretendohet se ishte bërë edhe nga ana e gjykatës së shkallës së dytë, përkundër faktit se mbrojtja kishte paraqitur ankesë për vendimin dhe sanksionin penal, Apeli në aktgjykim nuk ka theksuar asgjë për arsyen e refuzimit të pretendimeve ankimore.

Në gjetjet e Supremes, thuhet se pretendimet e mbrojtësve të të dënuarit janë të bazuara, ngase aktgjykimi i shkallës së dytë përmban shkelje për të cilat pretendohet në kërkesë dhe aktgjykimet e kundërshtuara të dy instancave më të ulëta gjyqësore janë marrë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale sipas dispozitës së nenit 384, par.1, nënpar. 1.10. dhe par.2, nënpar. 2.7 lidhur me nenin 369, par.6 të KPPK-së.

Sipas vendimit, meqë fillimisht gjykata e shkallës së parë në arsyetimin e saj kishte paraqitur si rrethana rënduese të dhënat nga e kaluara penale e të dënuarit dhe duke vlerësuar si rrethanë rënduese faktin se i dënuari në 12 raste kishte qenë i dyshuar, ndonëse nuk dihet ende epilogu final i këtyre rasteve, Apeli gjatë procedurës ankimore nuk kishte shqyrtuar pretendimet e ngritura përkitazi me vendimin për dënimin e shqiptuar dhe me këtë rast në tërësi ka anashkaluar pretendimet ankimore, përkatësisht nuk kishte paraqitur arsyetim në pretendimet për vendimin e dënimit të shqiptuar.

Nga këto, Gjykata Supreme, ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së dytë del se është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384, par.1, nënpar.1.10 dhe par.2, nënpar.2.7 lidhur me nenin 369, par.6 të KPP-së dhe nga kjo arsye, kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë ishte e bazuar që rezultoi me marrjen e vendimit për anulimin e aktgjykimit të kundërshtuar dhe shqyrtimin e sërishëm të kësaj çështjeje në rigjykim.

Në gjykimin e parë, Gjykata Themelore në Pejë, më 17 maj 2019, në mungesë të provave, Gjocajn e kishte liruar nga akuza për fajde.

Por, Gjykata e Apelit më 9 shtator 2019, e ka konsideruar si të paqartë dhe në shkelje të dispozitave të procedurës penale aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin ishte shpallur i pafajshëm i akuzuari dhe anuloi aktgjykimin e Themelores.

Në gjykimin e dytë, Gjocaj më 23 mars 2023 ishte shpallur fajtor për fajde nga Gjykata Themelore në Pejë, duke u dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë, si dhe ishte obliguar për kthimin e parave të marra me kamatë në shumën prej 24 mijë e 700 euro.

Kurse, më 31 tetor 2023, Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë ndaj të akuzuarit Gjocaj, vetëm sa i përket konfiskimit dhe detyrimit për kompensimin e të dëmtuarit, ku vlera e mjeteve të konfiskuara prej 11 mijë e 700 euro duhej t’i kthehet të dëmtuarit Rifat Jasiqi, kurse pjesa e mbetur e kërkesës pasurore-juridike prej 13 mijë e 700 euro t’i paguhet nga i akuzuari Gjocaj.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 30 nëntor 2017, i pandehuri Artan Gjocaj akuzohet se gjatë periudhës 13 mars 2015 e deri më 29 janar 2016 në Deçan, ka shfrytëzuar mendjelehtësinë e të dëmtuarit Rifat Jasiq, me qëllim që të përfitojë pa asnjë angazhim duke kontraktuar kamatë joproporcionale për borxhin e dhënë.

Sipas akuzës, pasi të dëmtuarit i kishte arritur për pagesë shuma prej 140 mijë euro nga “ProCredit Bank”, i njëjti ka kërkuar hua nga i akuzuari Gjocaj për ta shlyer kreditin, në mënyrë që pastaj me kredi tjetër t’ia kthejë huanë të akuzuarit. Kurse, i pandehuri thuhet se pasi ia kishte dhënë shumën prej 45 mijë eurove, me kusht kthimi prej një muaji, në momentin kur i dëmtuari nuk ka pasur mundësi ta kthejë këtë shumë brenda këtij afati, i pandehuri ka kërkuar dhe pranuar për çdo muaj vonesë 4.2 %, gjegjësisht 1 mijë e 900 euro në muaj, përveç borxhit bazë, duke përfituar kështu shumën prej 26 mijë euro.