Pablo Martin Paez Gavira, i njohur ndryshe si Gavi, po luan në mënyrë spektakolare në sezonin e tij debutues për ekipin e parë të Barcelonës edhe pse është vetëm 17 vjeçar.
Ai gjithashtu bëri debutimin e tij për kombëtaren spanjolle dhe u quajt “Iniesta i ri”. Trajneri i tij, i cili ishte gjithashtu një shok i vjetër i Iniestës, e admiron atë.
Gjithsesi, problemi i madh është rroga e Gavit. Paga e tij është shumë e vogël në krahasim me cilësitë që ka dhe kompeticionet ku ai luan.
Sipas mediumeve spanjolle, Gavi fiton 100 mijë euro në vit, që është një pagë mujore prej vetëm 8.5 mijë eurosh.
Kur luan në ligat më prestigjoze të botës, është komplet e natyrshme që të paguhesh shumë, por kjo nuk ndodhi me Gavin, pasi inkuadrimi i tij në ekipin e parë të Barçës erdhi “papritur” dhe nuk kishte ndryshime në kontratën e tij gjatë procesit të rritjes.
Por, interesant është fakti se nëse bëjmë një krahasim me pagën e Gavit, atëherë del se disa lojtarë të Superligës së Kosovës fitojnë pothuajse sa Gavi, edhe pse luajnë në nivel krejtësisht më të ulët se super ylli i ekipit katalunas, pasi elita e futbollit tonë nuk është në mesin e ligave më të forta në botë si nga cilësia, ashtu edhe nga aspekti material!
Në Superligën e Kosovës raportohet se ka lojtarë që paguhen deri në 70-80 mijë euro në vit, që i bie diku 20, respektivisht 30 mijë euro më pak se një lojtar që luan në top 5 ligat më të forta në botë.
Megjithatë, sa i përket Gavit, trajneri i tij, Xavi tha në një konferencë për shtyp: “Duhet të veprojmë menjëherë për të mbajtur Gavin. Nëse është e nevojshme, do të filloj të mbledh para për të. Ai, Ansu, Pedri dhe Araujo janë e ardhmja e Barçës. Ne duhet të bëjmë gjithçka që t’i mbajmë ata”, theksoi trajneri katalunas.
/GazetaBlic Sport