Sporti

Super ndeshje në elitën e basketbollit kosovar këtë fundjavë

01/09/2026 15:29
nga:Mergim Rreci

Pas Kupës, emocionet vazhdojnë në ProCredit Superligë me shumë sfida dhe një super derbi.

Takimi kryesor i kësaj jave zhvillohet në Mitrovicë me sfidën ndërmjet Trepçës dhe Sigal Prishtinës, dy skuadrat rivale, me traditë dhe me shumë trofe në basketbollin e Kosovës.

Pas 13 ndeshjeve, ‘Xehetarët’ janë liderë me dhjetë fitore e tri humbje, ndërsa bardhekaltrit kanë shtatë fitore e gjashtë humbje. Atmosfera pritet të jetë e jashtëzakonshme në ‘Minatori’, si gjithmonë në duelet derbi mes këtyre dy skuadrave.

Ndeshje interesant pritet ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Rahoveci 029, ku fitorja është shumë e rëndësishme për të dy skuadrat. Therandasit kanë katër fitore e nëntë humbje, kurse ‘Vreshtarët’ pesë fitore e tetë humbje.

Bashkimi-Bora është një tjetër sfidë interesante e kësaj që shënon edhe mbylljen e stinorit vjeshtor apo pjesës së parë të kampionatit. Prizrenasit kanë nëntë fitore e katër humbje, kurse prishtinasit pesë fitore e tetë humbje.

Java e 14-t mbyllet me sfidën ndërmjet Vëllaznimit dhe GO+ Pejës. Kuqezinjtë numërojnë katër fitore e nëntë humbje, kurse verdhezinjtë tetë fitore e pesë humbje, andaj shihet si një përballje shumë e rëndësishme për të dy skuadrat.

ProCredit Superliga-Java 14

E shtunë

17:00 Golden Eagle Ylli-Rahoveci 029

19:30 Bashkimi-Bora

E diel

17:00 Trepça-Sigal Prishtina

19:30 Vëllaznimi-GO+Peja