Sunny Hill Festival është gati të transformojë sërish kryeqytetin në epiqendrën e muzikës botërore. Organizatorët kanë kënaqësinë të konfirmojnë artistët e rinj që do të ngjiten në skenat e mëdha të Sunny Hill këtë verë, duke paralajmëruar një edicion të jashtëzakonshëm që do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht.
Në mesin e emrave të konfirmuar janë disa prej artistëve më të njohur të muzikës elektronike dhe performuesit më të kërkuar të momentit:
Keinemusic (Adam Port dhe Rampa)
Seth Troxler
Carlita
Manifest
Ky është vetëm fillimi. Në ditët në vijim, Sunny Hill do të vazhdojë të zbulojë emra të tjerë të mëdhenj të muzikës botërore, si dhe artistët më të mirë lokalë që do të plotësojnë programin artistik të këtij edicioni.
Një event me përmasa globale
Pritjet për këtë edicion janë që Sunny Hill Festival të shënojë rekordin e tij më të madh deri më tani. Deri më sot, janë konfirmuar blerës të biletave nga mbi 50 shtete të ndryshme të botës, duke dëshmuar se festivali tashmë është një destinacion i padiskutueshëm turistik dhe kulturor.
Për të përballuar këtë kërkesë të lartë, Sunny Hill ka zgjeruar rrjetin e shitjes së biletave në:
Të gjitha shtetet e Evropës;
Shtetet e Bashkuara të Amerikës;
Vende të tjera anembanë globit.
Ndikimi ekonomik dhe brendet botërore në Sunny Hill Festival
Rëndësia e festivalit po rikonfirmohet edhe përmes prezencës së brendeve më të mëdha botërore dhe lokale, të cilat do të jenë pjesë e rëndësishme e përvojës së festivalit. Ky interesim i madh ka sjellë një efekt të menjëhershëm në ekonominë lokale: hoteleria në Prishtinë dhe qytetet përreth ka filluar të mbushet me rezervime, duke premtuar një shtysë të fuqishme ekonomike për vendin.
“Ky edicion nuk është vetëm një festival i zakonshëm i muzikës; është një dëshmi e rritjes sonë si destinacion global. Prishtina po mirëpret botën”, thuhet nga ekipi organizativ i Sunny Hill Festival.


