Sporti

Sulmuesi i Interit në telashe, denoncohet për dhunë në një klub

01/15/2024 19:58
nga:E K

Një i ri nga Friuli në Itali, ka denoncuar dy futbollistë të Serisë A, pasi pretendon se e kanë dhunuar dhe kërcënuar mbrëmjen e 6 janarit në një klub nate të njohur të Milanos.

Media italiane zbulon se njëri prej futbollistëve dyshohet të jetë austriaku i Interit, Marko Arnautovic, teksa i riu nga Friuli ka zbuluar edhe detaje nga ngjarja e ndodhur në klub.

Dy futbollistët dyshuan se i riu i ka filmuar në momentet e tyre private në klub dhe e kanë nxjerrë atë menjëherë jashtë, duke i marrë me forcë telefonin për të kontrolluar regjistrimet e fundit.

Në denoncimin e tij, i riu ka pretenduar se i ndodhur i vetëm përballë dy personave, nuk ka bërë rezistencë dhe ata pasi kanë kontrolluar telefonin e tij, nuk kanë gjetur asgjë dhe e kanë lënë.

Megjithatë nuk kanë munguar as kërcënimet ndaj djalit nga Friuli, në rast të rrjedhjes së ndonjë fotoje të mundshme, teksa tashmë është dorëzuar padia dhe kanë nisur hetimet për rastin.