Lajme

Sulmohen zyrtarët policorë në Prishtinë, Prizren e Pejë, katër persona të arrestuar

02/05/2025 09:47
nga:N K

Policia e Kosovës ka njoftuar se zyrtarët policorë janë sulmuar gjatë detyrës zyrtare në tri raste të ndara në Prishtinë, Prizren dhe Pejë.

Në raportin ditor të PK-së, thuhet se në Prishtinë, një i dyshuar e ka goditur me veturë policinë pasi fillimisht nuk e respektoi urdhrin për ndalim. Policia, sipas njoftimit, ka pësuar lëndime trupore ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti është cilësuar si “sulm ndaj personit zyrtar”.

Ndërsa në Prizren, dy të dyshuar sulmuan policët teksa po i shqiptonin kundërvajtje në trafik. Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti është cilësuar si “sulm ndaj personit zyrtar”.

E në Pejë, një person lajmëroi Policinë se është sulmuar fizikisht nga një i dyshuar pas një mosmarrëveshje dhe ka pësuar lëndime trupore. I dyshuari u identifikua nga Policia dhe gjatë arrestimit u përpoq të ikte, por pa sukses. Është dërguar në mbajtje. Rasti është cilësuar si “sulm ndaj personit zyrtar”.